Akademia e Atletik Klub, me dy grupmoshat e saj, do të kërkojë sot në ndeshjet e tyre të marrë dy fitore. Ekipet shkodrane, U-14 dhe U-15 do të luajnë ditën e sotme përkatësisht ndaj Erzenit dhe Akademisë Shqiponjat.
Fillimisht, ai që do të zbresë i pari në fushë, do të jetë ekipi i U-14, i drejtuar nga trajneri Eder Zmijani, të cilët kërkojnë një tjetër fitore në ndeshjen e tyre ndaj Erzenit. Atletik Klub U-14 renditet në vendin e 13-të në tabelën e klasifikimit, në kuotën e katër pikëve në pesë ndeshje të luajtura deri më tani.
Trajneri Zmijani beson tek futbollistët e tij se do të marrin një rezultat pozitiv në transfertë ndaj Erzenit, edhe pse do të ndeshen ndaj një kundërshtari të vështirë. Megjithatë, gjithçka rreth ndeshjes së 14-vjeçarëve, Erzeni-Atletik Klub mbetet për t’u parë sot në Shijak.
Ndërkohë, pas saj në fushë do të jetë edhe ekipi i Atletik Klub U-15. Skuadra e drejtuar nga Saimir Kaloshi kërkon një tjetër fitore ndaj një kundërshtari shumë të vështirë në transfertë, siç është Akademia Shqiponjat, që kryeson klasifikimin për këtë grupmoshë.
Ndërkohë, Atletik Klub U-15, edhe pse renditet në vendin e gjashtë në tabelën e klasifikimit, ndodhet në kuotën e nëntë pikëve, vetëm tre pikë larg Akademisë Shqiponja, që mban vendin e parë në pesë ndeshje të luajtura deri më tani.
Në fakt, ekipi i trajnerit Saimir Kaloshi në disa ndeshje që ata kanë zhvilluar deri më tani mund të kishte marrë më shumë, por siç duket fati nuk ka qenë me ta. Ndeshja e 15-vjeçarëve, Akademia Shqiponjat-Atletik Klub do të luhet në Durrës ditën e sotme, duke filluar nga ora 12:00.
Në fakt, me interes pritet ecuria e ekipeve të Akademisë së Atletik Klub, ku dihet që edhe në këtë sezon do të synohet nxjerrja e elementit cilësor, ashtu siç është bërë edhe më herët tek këto ekipe.
Maringlen ZHIVANI







