Ekipi “Terbuni” Boks përfaqësoi me dinjitet Shqipërinë në një nga eventet më të forta ndërkombëtare të vitit, Grand Gala de Box 2025, i cili u zhvillua në qytetin e Lyonit, Francë, nga data 12 deri më 16 dhjetor 2025.
Përpara këtij turneu prestigjioz, sportistët e Terbuni Boks zhvilluan disa ditë stërvitje të përbashkëta me ekipin Lyon Box, duke shkëmbyer eksperiencë dhe duke u përgatitur në nivel maksimal për përballjet ndërkombëtare. Falë nivelit të lartë sportiv, Terbuni Boks ishte i ftuar special, mes boksierëve më të mirë të përzgjedhur nga organizatorët.
Rezultatet e boksiereve te ekipit te Terbunit:
Jurgen Lazri (66 kg) – Kapiteni i ekipit zhvilloi një superndeshje, duke fituar me rezultat të pastër 3–0 ndaj boksierit Gentian Poci, në një paraqitje autoritare dhe bindëse.
Biordi Çekini (48 kg) – Boksieri i ri tregoi qartë potencialin dhe talentin e tij, duke triumfuar ndaj francezit Abou Hamza Atamna, me një fitore të merituar.
Agron Muriqi (75 kg) – Zhvilloi një nga ndeshjet më të mira të karrierës së tij. Pavarësisht dominimit të dukshëm në ring, vendimi final favorizoi boksierin vendas Victor Brahim, për shkak të arbitrimit vendas.
Gabriel Çermeli (69 kg) – Ishte gati për përballjen ndaj Abdermane Lamache, por ndeshja nuk u zhvillua për shkak të tërheqjes së boksierit francez në momentet e fundit, për arsye shëndetësore.
Klevis Ramçaj (64 kg) – Në ndeshjen e tij të parë zyrtare, debutoi me një paraqitje dinjitoze ndaj boksierit me përvojë Cherif Ali. Edhe pse nuk arriti fitoren, tregoi potencial dhe perspektivë të qartë për të ardhmen.
Pashuk Gjoni (72 kg) – Në një nga ndeshjet më të shumëpritura të turneut, u përball me kampionin e Francës Ramzy Mekhalef. Superdueli ishte i barabartë dhe në nivel shumë të lartë, duke treguar cilësi kampioni, edhe pse rezultati final nuk ishte në favorin e tij.
Në përfundim të turneut, paraqitja e Terbuni Boks u vlerësua maksimalisht nga organizatorët dhe publiku sportdashës, duke konfirmuar se ekipi shqiptar ka një nivel konkurrues dhe të respektuar në arenën europiane të boksit.
Ekipi Terbuni Boks falënderon tifozët e shumtë për mbështetjen e vazhdueshme, si dhe u uron sportistëve të tij suksese të mëtejshme në aktivitetet dhe turnetë e ardhshme ndërkombëtare.


