Vllaznia ka qenë ekipi më aktiv i Superiore përsa i përket kësaj periudhe në merkato. Ende pa u mbyllur gjysma e muajit qershor, kuqeblutë kanë zyrtarizuar 4 afrime. Ku duhen theksuar emrat e Kahirmanovic, Deliut, Bajramit dhe së fundmi Qatos. Që duket se kanë plotësuar boshllëqet e rozë shkodrane.
Gjithashtu Vllaznia ka blinduar edhe talentet e akademisë së saj. Lojtarët më të spikatur të skuadrës së të rinjëve si: Jukaj, Zaganjori, Dodaj, Halili dhe Shimaj janë zyrtarizuar me kontratat e profesionistëve. Në këtë mënyrë kuqeblutë kanë marrë “masat” që në fillimin e merkatos për një skuadër solide. Duke mos e lënë gjithçka për fundin e verës siç ka ndodhur rëndomë.
Por pavarësisht afrimeve të verës, tifozët shkodranë kërkojnë nga drejtuesit afrime të emrave “big”. Lojtarë sulmues të cilët mund të bëjnë diferencën në kampionat e po ashtu të ndihmojnë skuadrën drejt objektivave madhorë. Duke qenë se momentalisht, Vllaznia nuk ka bërë asnjë afrim në sulm, patjetër që në fokusin e drejtuesve është ky repart.
Duke qenë tashmë se reparti i mbrojtjes dhe ai i mesfushës duket i kompletuar, prioritet mbetet ai i sulmit. Me 2 muaj e gjysmë të merkatos ende të hapur pritet të ketë surpriza deri në fundin e saj. Ku kësaj rradhe shkodranët duket se e kanë marrë shumë seriozisht formimin e ekipit që në fillimin e verës. Si për të përballuar kupat e Europës që nisin në gjysmë të muajit korrik e po ashtu edicionin e ri të Superiores.
Endri ÇINARI/www.shkodrasport.com/