Ardit Krymi është futbollisti më i ri i skuadrës së Vllaznisë. Futbollisti shkodran, që luan si mesfushor përpara mbrojtjes, ka firmosur për ekipin kuqeblu dhe zyrtarisht tashmë mund të quhet pjesë e Vllaznisë.

Burime të “Shkodra Sport” e konfirmojnë një lajm të tillë se tashmë e “zeza mbi të bardhën” është hedhur, teksa në orët në vijim pritet të zyrtarizohet edhe nga vetë klubi i Vllaznisë kjo marrëveshje.

Nga ajo që mësohet nga “Shkodra Sport”, Krymi ka firmosur për dy vite me klubin kuqeblu dhe tashmë, duke nisur nga seanca e rradhës stërvitore, mesfushori shkodran do të vendoset në dispozicion të trajnerit Migen Memelli.

Megjithatë, edhe pse firma e tij është hedhur me Vllazninë, Krymi nuk do të mund ta ndihmojë ekipin kuqeblu në ndeshjen e dytë të turit të parë të Conference League kundër skuadrës irlandezo-veriore, Linfield.

Kujtojmë këtu se, Krymi është një futbollist i rritur dhe i zhvilluar tek Akademia Vllaznia dhe tashmë, destinacioni i rradhës për karrierën e mesfushorit shkatërrues do të jetë rikthimi tek ekipi i tij i zemrës.
Maringlen ZHIVANI