Më 16 shkurt siç është bërë e ditur do të zhvillohet Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore e Federatës Shqiptare të Futbollit ku përpos zgjedhjeve për postin e presidentit, do të jenë edhe ato për anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të këtij institucioni.
Gazeta “Shkodra Sport” në mënyrë ekskluzive nga burime pranë FSHF mëson se një nga kandidatët e propozuar për anëtar të KE është edhe shkodrani i mirënjohur Armando Cungu. Bëhet e ditur se propozimin për të e kanë bërë 2-3 klube të Superiores, njëri prej të cilëve është Vllaznia.
Propozimi i një figure të tillë si Armando Cungu padyshim që u bën nder këtyre klubeve, por edhe FSHF-së nëse do të zgjidhej në këtë post. Një trajner shumë i zoti që ka i treguar vlerat e tij në të gjitha skuadrat ku ka punuar, si me ato të klubeve ashtu edhe me ekipet kombëtare të moshave.
Po ashtu, një akademik i mirëfilltë, një njeri që flet shumë mirë disa gjuhë të huaja dhe në kompleks, kemi të bëjmë me një personalitet të futbollit që padiskutim si anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së do të jepte kontributin e tij në çuarjen edhe më përpara të këtij sporti.
Megjithatë gjithçka do të vendoset në zgjedhjet e muajit të ardhshëm dhe do të jenë anëtarët e Federatës me të drejtë vote që do të kenë në dorë gjithçka. Gjithsesi zgjedhja e Cungut në këtë post, padyshim që do të ishte diçka e mirë për të gjithë.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


