Ballkani ëndërron t’i bëjë gjërat si duhet edhe këtë sezon në Kupat e Europës, duke patur qartësisht në mendje objektivin për një tjetër pjesëmarrje në Conference League, pas një viti ku fituan edhe titullin kampion në Kosovë. Kështu, shënjestra e klubit kosovar është një futbollist i rëndësishëm i Vllaznisë, i aftë të bëjë diferencën padyshim.
Fjala është për kosovarin e kuqebluve, Liridon Latifi. Mesfushori anësor, që ka luajtur edhe disa ndeshje me Kombëtaren, duket se ka mbyllur aventurën e tij me Vllazninë dhe është fare pranë firmës me Ballkanin.
Në fakt, nga sa mësohet, për të bindur futbollistin, përveç drejtuesve të klubit, është ulur në negociata edhe vetë trajneri Ilir Daja, që insiston për firmën me lojtarin, duke e konsideruar pjesë tepër të rëndësishme të projektit.
29-vjeçari është “identifikuar” si futbollisti ideal për kampionët e Kosovës, duke qenë se e njeh mirë këtë kampionat, por mund të garantojë poashtu kualitet dhe eksperiencë edhe për ndeshjet në Kupat e Europës. Po ashtu, sipas burimeve të “Shkodra Sport”, Latifi është i interesuar për projektin dhe firma është fare pranë, teksa gjithçka mbetet për t’u parë në vijim.
Maringlen ZHIVANI