Kombëtarja shqiptare e basketbollit mund të ketë shumë shpejt në rradhët e saj një basketbollit amerikan. Ai pritet të natyralizohet si shqiptar dhe kjo do t’i japë atij mundësinë që të veshë fanellën e përfaqësueses tonë. Bisedimet me të janë në rrugën e duhur dhe brenda një kohe të shkurtër, pritet që të vijë përgjigja pozitive e tij. Por ndërkohë nuk bëhet fjalë për Mohamad Abukar që luan me Sigal Prishtinën dhe që pritej të vinte në kombëtare bashkë me ish-trajnerin e tij Antonis Constantinides që siç dihet ka marrë tashmë drejtimin e kësaj kombëtare. Kemi të bëjmë me një tjetër amerikan. Ai është Alex Kirk, i cili dy sezone më parë ka luajtur në vendin e tij për ekipin e njohur të Cleveland Cavaliers ndërkohë që sezonin e fundit ka qenë pjesë e basketbollit italin pikërisht me ekipin e Pistoias që militon në Serinë A të këtij vendi. Edhe Kirk luan në pozicionin qendër, kuptohet i favorizuar nga shtatëlartësia e tij e madhe, 2.11 m e po ashtu edhe nga pesha e tij 114 kg. Lajmin e ka bërë të ditur për gazeten www.shkodrasport.com anëtari i kryesisë së Federatës Shqiptare të Basketbollit Ilir Taflaj kur ka thënë: “Mund të konfirmoj faktin se ne si Federatë jemi në bisedime me një basketbollist amerikan që mendojmë ta natyralizojmë si shqiptar në mënyrë që më pas të luajë me kombëtaren tonë. Ai është Alex Kirk që vjen nga ekipi i njohur amerikan Cleveland ndërsa në sezonin e fundit ka luajtur në Itali. Bisedimet me të kanë nisur. 24 vjeçari i është dukur një ofertë interesante ajo e përfaqësimit të Shqipërisë dhe brenda një kohe të shkurtër mendojmë të mbyllim gjithçka me të. Nëse kjo realizohet sigurisht që do të ishte diçka shumë pozitive për basketbollin tonë dhe do të ndihmonte ekipin tonë kombëtar për të rritur nivelin e tij në përballjet me ekipet rivale”. Në basketbollin shqiptar duket se po fryn një erë e re. Trajnerë të huaj po drejtojnë të gjitha ekipet kombëtare dhe tashmë po vijnë edhe lojtarë të huaj dhe kjo normalisht që do të ndikojë pozitivisht.

© shkodrasport.com