Tek KF Shiroka duket se nuk ka qetësi me trajnerët. Gazeta “Shkodra Sport” mëson se që prej ditës së djeshme Emiliano Bonazzoli nuk është më trajner i kësaj skuadre. Ende nuk është e qartë nëse çfarë ka ndodhur megjithatë ai mësohet të ketë shtrënguart duart me presidentin Axhani dhe është larguar drejt Italisë.
Për momentin nga ana e klubit shkodran ende nuk ka një komunikatë për të shpjeguar se çfarë ka ndodhur, por ajo që është zyrtare ka të bëjë me faktin se ekipin dje e ka stërvitur drejtori Ardit Mani.
Një largim i tillë i Bonazzolit vjen në një moment aspak të përshtatshëm sepse të shtunën do të luajë në transfertën e vështirë të Librazhdit ndaj Sopotit rival, megjithatë kjo nuk do ta pengojë ekipin të tregojë vlerat e tij më të mira dhe të synojë marrjen e fitores.
Duhet thënë se deri më tani nga skuadra e KF Shirokës këtë sezon janë larguar katër trajnerë. I pari, në gusht të vitit të kaluar që u prezantua si trajner ishte Ardit Mani, por pa kaluar shumë kohë këtë detyrë e mori përsipër Matias Tatangelo i cili u largua në fund të dhjetorit për të kaluar tek Iliria.
Në ditët e para të janarit u prezantua si trajneri i ri i Shirokës portugezi Andre Jasmins i cili në fakt qëndroi vetëm dy javë në Shkodër sepse në adresë të tij erdhi një ofertë e mirë nga Omani dhe drejtuesit e klubit ranë dakord për ta transferuar atje. Në vend të portugezit në ditët e fundit të janarit erdhi italiani Emiliano Bonazzoli, por edhe ai nuk paska qenë e thënë të qëndrote gjatë sepse tashmë nuk është më në këtë detyrë.
Kush do të jetë trajneri i ri i KF Shiroka? Do t’i besohet skuada sërish Ardit Manit, njeriut që e nisi punën me të në muajin gusht, apo do të vijë trajneri i pestë brenda sezonit? Kjo mbetet për t’u parë dhe me siguri që brenda dy ditësh drejtuesit e klubit do të kenë vendosur për këtë çështje.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


