Vllaznia tashmë duket se është fokusuar në merkato për afrimet e futbollistëve. Një nga emrat për të cilët është lakuar në media këto ditë tek kuqeblutë është ai i Emiljano Mustes.

Elbasanasi që mbylli sezonin me Kukësin, duket se është në orbitën e shkodranëve. I kontaktuar nga “Shkodra Sport”, mëngjërashi shprehet shkurtimisht për situatën aktuale.

Musta tha: “Është e vërtetë që ka pasur interesim nga drejtuesit e Vllaznisë. Jam kontaktuar nga ana e tyre, por ende nuk kam pasur ndonjë takim zyrtar. Kjo ndoshta sepse klubi është i përqendruar në këto momente për rinovimin e disa futbollistëve që kanë aktualisht në organikë.

Unë jam i lumtur që emri im lidhet me një klub të madh si Vllaznia. Kam luajtur në disa ekipe në Superligë dhe pse jo të mos provoj edhe fanellën e shkodranëve. Megjithatë ende nuk ka asgjë konkrete për të ardhmen time. Jam ende në pritje për të marrë një vendim përfundimtar, ku po shqyrtoj ofertën më të vlefshme për mua”.
Endri ÇINARI