Vllaznia ka nisur ditën e djeshme proçesin stërvitor, me seancën e parë të vitit 2023 që është zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi”. Megjithatë, në orët e fundit në Shkodër po qarkullon lajmi për largimin e futbollistit titullar të Vllaznisë, Esin Hakaj.

Në fakt thuhet se në adresë të tij ka mbërritur një ofertë nga klubi turk i Samsunspor për ta bërë pjesë të tyre mbrojtësin shkodran.

Megjithatë, vetë Hakaj shprehet se as që e mendon largimin nga Vllaznia, pasi ka një kontratë me këtë klub. Një gjë të tillë ai e pranon edhe vetë në një komunikim për “Shkodra Sport”.

“Unë nuk kam pasur asnjë kontakt me Samsunspor. Klubi turk ka kontaktuar dhe ka folur me menaxherët, por unë as që e mendoj largimin nga Vllaznia.

E ardhmja te Vllaznia? Padyshim që po. Do vazhdoj sërish në Shkodër”,-mbylli prononcimin e tij të shkurtër për “Shkodra Sport”, mbrojtësi i majtë i Vllaznisë, Esin Hakaj.
Maringlen ZHIVANI