Nga Maringlen ZHIVANI
Besëlidhja e Lezhës po kalon një sezon shumë premtues. Në një intervistë ekskluzive për “Shkodra Sport”, drejtori sportiv i klubit, Renato Malota ndau detaje për investimet e bëra, mbështetjen e presidentit Pjerin Fushaj, zv/presidentit Klaudio Fushaj dhe Kryetarit të Bashkisë Pjerin Ndreu, objektivat për sezonin aktual dhe planet afatgjata për ekipin. Për më tepër, më poshtë mund të lexoni intervistën e tij të dhënë për gazetën “Shkodra Sport” me gazetarin Maringlen Zhivani.
-Ky sezon duket shumë premtues për Besëlidhjen, duke marrë parasysh ecurinë, investimet e fundit në skuadër dhe infrastrukturë. Si e shihni ndikimin e këtyre investimeve në performancën e ekipit deri tani dhe sa mendoni se do të ndikojnë në vazhdim të kampionatit duke qenë se edhe Besëlidhja është në vend të parë?
Të gjithë e dimë që e morëm Besëlidhjen në një moment shumë të vështirë. Falë investimeve që po bëhen nga Presidenti z. Pjerin Fushaj, por edhe me ndihmën e Kryetarit të Bashkisë Lezhë z. Pjerin Ndreu, Besëlidhja po ecën me ritme të kënaqshme dhe me synimin për të realizuar objektivin kryesor këtë vit: ngjitjen në Kategorinë e Parë. Natyrisht, nuk ka mbaruar asgjë ende, sepse na pret një fazë e rëndësishme me ndeshje shumë të forta. Po përgatitemi intensivisht për t’i përballuar ato me sukses.
-Presidenti Pjerin Fushaj dhe zv/presidenti Klaudio Fushaj ka qenë dy nga shtyllat kryesore të këtyre ndryshimeve. Sa i rëndësishëm është roli i tyre në këtë moment të sezonit dhe sa po ndihmojnë ata në zhvillimin dhe stabilitetin e klubit?
Dua të falënderoj të dy për atë çka po bëjnë për Besëlidhjen dhe qytetin e Lezhës. Lezha është një qytet që jeton me sportin dhe veçanërisht me futbollin, dhe më në fund persona shumë të denjë dhe korrekt morën këtë ekip. Jam i bindur se nën drejtimin e tyre na pret një e ardhme e ndritur.
-Ekipi po kryeson grupin në Kategorinë e Dytë dhe ambiciet janë të mëdha. Cilat janë objektivat kryesore për këtë pjesë të sezonit dhe cilat sfida kryesore prisni të përballeni gjatë rrugës drejt promovimit?
Objektivi ynë kryesor është ngjitja në Kategorinë e Parë. Deri tani jemi brenda objektivave, por na pret shumë punë dhe ndeshje të forta, të cilat do t’i marrim një e nga një, sikur të jenë finale.
-Si drejtor sportiv, çfarë filozofie futbolli dëshironi të impononi te skuadra në këtë fazë të kampionatit, duke marrë parasysh bashkëpunimin me trajnerin Plori dhe potencialin aktual të lojtarëve?
Natyrisht, kam idetë e mia për të ardhmen, por në këtë moment dhe në këtë kategori, nuk ka mundësi të bëjmë gjithçka që dëshirojmë si klub. Gjithsesi, puna dhe filozofia e ekipit do të reflektohet në vitet në vazhdim.
-Do ketë afrime të tjera te Besëlidhja në këtë merkato janari?
Do të ketë hyrje dhe dalje lojtarësh sipas nevojës. Jemi në një pikë kulminante të kampionatit, ku do të forcojmë ekipin aty ku e shohim të domosdoshme. Po bëjmë të pamundurën për të ofruar lojtarë cilësorë.
-Duke parë ecurinë e shkëlqyer të ekipit këtë sezon, si e shihni zhvillimin e Besëlidhjes për sezonet që vijnë dhe cilat janë planet afatgjata të klubit? A mund të ndani ndonjë projekt të rëndësishëm që është në zhvillim aktualisht?
Unë jam një person që më pëlqen të flas me punë dhe jo me fjalë. Dy janë objektivat kryesore për ne si klub: i pari është krijimi i Akademisë Besëlidhja, që do të zyrtarizohet shumë shpejt, dhe i dyti është ngjitja dhe pjesëmarrja si pjesë e ekipeve elite të Shqipërisë, çka kërkon kohë dhe përkushtim nga të gjithë.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


