Skënderbeu kërkon të kthehet tek fitorja pas humbjeve rradhazi, nesër në përballjen me Vllazninë, që do të zhvillohet në stadiumin “Skënderbeu” të Korçës. Përveç momentit mjaft negativ që po kalojnë në kampionat, juglindorët kanë edhe disa mungesa, lidhur me këtë sfidë që do ta zhvillojnë me kuqeblutë.

Sulmuesi i korçarëve, shkodrani Ardit Nikaj, në një intervistë të dhënë për “Shkodra Sport”, shfaqet optimist dhe beson, se Skënderbeu do ta mposhtë Vllazninë edhe me ndihmën e tifozëve. Shkodrani e pranon, se do të jetë e vështirë të luajë kundër kuqebluve, por theksoi se do të japë maksimumin, që Skënderbeu të ngjitet sa më parë në klasifikim.

“Normalisht është një ndeshje vendimtare nesër ndaj Vllaznisë, sepse ka për të qenë një ndeshje shumë e luftuar prej të dy ekipeve dhe luaj kundër qytetit tim, ku kam një ndjesi të veçantë.

Eshtë një ndjesi e veçantë në një farë mënyre. Ndjesi që të bën për me dhënë shumë më shumë prej vetes në ndeshjen ndaj Vllaznisë.

Po, është e vërtetë. Ndeshje pas ndeshje, kam pasur hapësira dhe besoj trajnerit Memelli do t’ia shpërblej besimin që më ka dhënë.

Largimi nga Vllaznia ndodhi për shkak, sepse kërkoja minuta, gjë që këtu tek Skënderbeu, i gjeta dhe më pritën shumë mirë. Pishman s’mund të them që jam bërë pas largimit nga Vllaznia, sepse ndjehem mirë këtu.

Me gjithë respektin që kam për Vllazninë, ne hyjmë në fushë për të marrë maksimumin së bashku edhe me ndihmën e tifozëve dhe të kthehemi tek fitoret”,-mbylli prononcimin e tij, sulmuesi i Skënderbeut, shkodrani Ardit Nikaj.
Maringlen ZHIVANI