Largimi i Christian Panuccit tashmë është zyrtarizuar dhe me siguri që në FSHF kanë nisur të mendojnë për zëvendësuesin e tij. Emri i parë kandidat madje ka dalë edhe në media, italiani Edi Reja që ka qenë i pranishëm edhe mbrëmjen e së premtes në “Loro Boriçi” për të ndjekur ndeshjen.

Por nga sa mësohet, kandidaturë nuk është vetëm ai. Burime të “Shkodra Sport” bëjnë të ditur se një tjetër kandidaturë e fortë për pankinën kuqezi është edhe një trajner malazez. Ditet e fundit, burime prane ketij trajneri bejne te ditur se ai eshte takuar me perfaqesues te FSHF-se dhe kane biseduar ne lidhje me mundesine e uljes se tij ne pankinen kuqezi.

Bëhet fjalë për Miodrag Raduloviç, 51 vjeçarin nga Podgorica i cili pas një karriere të sukseshme si futbollist, prej vitit 1999 ka nisur detyrën e trajnerit. Fillimisht me një ekip të kategorisë së dytë në Mal të Zi, FC Zora, e më pas trajner i Zetës, Borac në Bosnjë- Hercegovinë.

Nga viti 2001-2004 ka qenë trajner i kombëtares U21 të Serbi & Mali i Zi ku zuri vendin e dytë në Kampionatin Europian të vitit 2004 të zhvilluar në Gjermani.

Më pas është trajneri i kombëtares U19 të Serbi & Mali i Zi në vitet 2004-2006, për të marrë më vonë drejtimin e Boavistës në Portugali.

Karriera e Raduloviç në këtë mënyrë njeh veç rritje, sepse rikthehet të punojë si trajner i Kombëtares U19 të Malit të Zi në vitet 2007-2010 ku arrin disa rezultate pozitive.

Nga viti 2010 fillon rrugëtimin e tij si trajner në disa ekipe të tjera duke filluar me ekipin FC Pakhtakor të Uzbekistanit, për të vazhduar me Dinamon e Moskës në Rusi. Në sezonin 2011-2012 është trajner i Buduçnostit të Podgoricës, para se të merrte drejtimin e FC Kazma në Kuvajt e më pas tek FC Atyrau në Kazakistan.

Në sezonin 2014-2015 merr drejtimin e ekipit Al Jahra SC në Kuvajt, ndërsa nga viti 2015 e deri më sot drejton ekipi kombëtar të Libanit me të cilin ka bërë një progres duke e ngjitur nga vendi i 155-të kur e mori atë, në vendin e 77-të ku ndodhet sot në ranglistën e FIFA-s.

Por kontrata e Raduloviç me Federatën libaneze mbaron në maj të këtij viti dhe burime pranë këtij trajneri bëjnë të ditur se ai nuk e ka ndër mend të rinovojë më.

Për këtë arsye, tekniku malazez e ka mirëpritur ofertën paraprake të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe bisedimet tashmë kanë nisur, por ende nuk ka gjë konkrete nëse palët do bien dakord apo jo.

“Shkodra Sport” mëson se Miodrag Raduloviç është një trajner me shumë reputacion në vendin fqinj dhe pikërisht për këtë arsye, nuk përjashtohet mundësia që ai nga muaji maj të marrë drejtimin e kombëtares shqiptare.

Kjo do të thotë se një lëvizje e tillë mund të ishte në kohë sepse siç dihet, Shqipëria pas takimit me Andorën, nuk do ketë ndeshje tjetër zyrtare deri në fillim të qershorit.
© shkodrasport.com