Lëvizjet e futbollistëve duket se nuk do ndalen pavarësisht se merkato ka përfunduar. Një prej lojtarëve që duket se do bëjë një ndryshim tjetër në karrierën e tij është Elmir Lekaj. Mbrojtësi shkodran që pjesën e parë të sezonit është aktivizuar në Sllovaki me D.Kubin ka shkëputur marrëdhëniet me skuadrën sllovake.
23-vjeçari tashmë është një lojtar i lirë dhe interesi ndaj tij duket se nuk mungon. “Shkodra Sport” mëson në mënyrë ekskluzive se ekipe nga Superliga dhe Kategoria e Parë në vendin tonë kanë shprehur interes ndaj tij. E po ashtu një opsion është edhe Kosova , ku Lekaj më parë është aktivizuar me Arbërinë dhe Ulpijanën në Superligën kosovare.
Po ashtu një opsion për ish-mbrojtësin e Vllaznisë është edhe SHBA. Kjo pasi Lekaj ka një marrëveshje “xhentellmenësh” prej kohësh me skuadrën e Tulsa. Një ekip që duket se pret krah hapur shkodranin, por që ende nuk është i vendosur 100% kalimi i tij në kampionatin përtej oqeanit.
Tashmë pritet të shihet se ku do jetë destinacioni i rradhës i Lekajt. I cili nuk ka eksperiencat futbollistike vetëm në Shqipëri dhe Kosovë, por edhe jashtë vendit. Ku ka luajtur edhe në Maltë, por edhe së fundmi në Sllovaki me D.Kubin.
Endri ÇINARI