Nesër në orën 16:45 në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës do luhet klasikja e futbollit shqiptar mes Vllaznisë dhe Tiranes. Një duel që gjithmonë ka prodhuar spektakël dhe mbart një pjesë të historisë së futbollit tonë. E jashtë këtyre emocioneve nuk mund të qëndrojë as Arbi Laçi. Ish-drejtori sportiv u Tiranes në një intervistë ekskluzive për Shkodra Sport flet për klasiken, tifozët si edhe përjetimin që ka një sfidë e tillë.
– Si përjetohet ky takim në një ambient si Tirana?
Është gjithmonë një ndeshje që përcjell emocione dhe përjetohet si klasikja e futbollit tonë pasi është e tillë. Kur isha pjesë e Tiranes dueli me Vllazninë më emociononte shumë sidomos kur luhej në Shkodër. Por, dua të theksoj faktin se që prej vitit 2009 këta dy ekipe nuk luanin për titull kundër njëra-tjetrës. Ai ishte sezoni i fundit që luftuan deri në fund. Në vitet e fundit asnjëherë nuk kanë qenë të dyja bashkë të forta si tani.
– Si duken në syrin tuaj të dy skuadrat?
I shoh të ndryshme në cilësi dhe koncept loje, por njësoj të uritura për të fituar titullin kampion.
– Po tani si tifoz si e shikon Arbi?
Si tifoz e cilësoj si një nga ndeshjet më të bukura të kampionatit dhe që nuk duhet humbur. Normalisht dihet që unë jam tifoz me Tiranen, por po të flasim me profesionalizëm dhe të jem objektiv është një sfidë shumë e ekuilibruar.
– Një parashikim për sfidën?
Parashikoj disa duele interesante në fushën e lojës. Limaj dhe Totre përballë Ardit Krymit që për mua është një nga më të mirët e këtij fillimi sezoni. Ngo’o përballë Adilit dhe Aralica kundër Hoxhallarit. Siç e thashë e shoh të ekuilibruar dhe nuk mund të jap një parashikim.
– Në fund tifozeritë dhe si përjetohet klasikja në Shkodër?
Në Tirane kanë rival kryesor Partizanin ndërsa në Shkodër kanë Tiranen, skuadrën të cilën duan ta mundin gjithmonë. Atmosfera është fantastike në një qytet që di ta dojë futbollin dhe Vllazninë fort. Do jetë një ndeshje e bukur për tu parë dhe shijuar.
Endri ÇINARI