Kastrioti ka bërë afrimin e rradhës në merkato dhe sërish ka “peshkuar” një lojtar që ka një të kaluar me Vllazninë. “Shkodra Sport” mëson se nga sot sulmuesi 24-vjeçar, Silvio Zogaj do jetë pjesë e Kastriotit.
Lojtari me origjinë nga Lezha qe eshte rritur tek Akademia Vllaznia e që ka luajtur në Superiore me skuadra si Vllaznia, Luftëtari dhe Laçi, ka nisur sot stërvitjen me klubin krutan.
Burime të “Shkodra Sport” konfirmojnë se Zogaj ka arritur akordin me Kastriotin dhe është përforcimi më i ri në sulm për skuadrën e trajnerit Emiliano Çela, duke forcuar në këtë mënyrë repartin ofensiv të Kastriotit për pjesën e mbetur të sezonit.
Sulmuesi veshi fanellën e Teutës dy vite më parë, teksa ishte pjesë e skuadrës së djemve të detit edhe në fitimin e titullit kampion në sezonin e kaluar, por nuk arriti të bëhet asnjëherë protagonist, pasi luajti pak dhe thuajse në të gjithë rastet, duke ardhur nga pankina.
Maringlen ZHIVANI