Ka rezistuar deri në minutën e 93-të, por më pas është dorëzuar. Juventus ka fituar 1-0 super sfidën e javës së 27-të të kampionatit italian kundër Lazio-s dhe ka shkuar një pikë larg Napoli-t, që do të presë Roma-n mbrëmjen e sotme në “San Paolo”.

Nuk duhet harruar se bardhezinjtë kanë edhe një ndeshje për të rikuperuar kundër Atalanta-s.

Bardhezinjtë kanë dominuar takimin për sa i takon mbajtjes së topit, por nuk kanë arritur të gjejnë rrugën e rrjetës.

Miqtë kanë shënuar në minutën e 30-të të pjesës së parë me Lichtsteiner, por goli i zviceranit është anuluar për shkak të një faulli.

Para këtij momenti ka qenë Ciro Immobile, golashënuesi më i mirë i Serisë A me 23 gola, që ka shkuar afër golit me një goditje me kokë, por tentativa e tij është ndalur nga Buffon.

Rastet për gola kanë munguar në 45 minutat e dyta dhe duket se të dy ekipet kanë ndier lodhjen pas ndeshjeve të luajtura në mesjavë të vlefshme për gjysmëfinalet e Kupës së Italisë.

Kur mendohej se dy ekipet do të ndanin një pikë ka ardhur goli që ka vendosur sfidën, me Paulo Dybala që ka ndëshkuar bardhekaltrit dhe i ka dhuruar një fitore të rëndësishme “Zonjës së Vjetër”. /telesport/