Arsid Kruja mund të nisë një aventurë të re në Maqedoninë e Veriut. Mesfushori shkodran që ka luajtur tek Vllaznia së fundmi, ka patur kontakte me ekipin nga Maqedonia e Veriut, Voska Sport, për të firmosur atje.

“Shkodra Sport” ka mësuar ekskluzivisht se Voska Sport i ka dërguar ofertë Krujës, i cili nga sa mësohet nga burime pranë tij nuk ka vendosur ende. Tashmë, mbetet për t’u parë se çfarë do të vendosë për të ardhmen e tij mesfushori shkodran, teksa mësohet se për të ka edhe pista të tjera në kampionatin shqiptar dhe kosovar.

Arsid Kruja mund të mbulojë disa role të mesfushës, më konkretisht në të djathtë të saj dhe si fantazist. Ndërkohë, mesfushori shkodran ka luajtur edhe në mbrojtje, në krahun e djathtë të prapavijës.

Kruja vjen pas aktivizimit për katër sezone rradhazi me Vllazninë, ndërsa më parë ka luajtur edhe me Flamurtarin, Laçin dhe Teutën. Ai ka luajtur këtë sezon me ekipin kuqeblu në 26-ndeshje, pa arritur dot të shënojë qoftë edhe një gol apo të dhurojë edhe ndonjë asist.
Maringlen ZHIVANI