Në turin e parë kualifikues të Europa Conference League, Vllaznia do ketë përballë ekipin e Universitatea Craiova. Një kundërshtar shumë i fortë në letër dhe që pritet të paraqesë vështirësi për shkodranët.

Disa detaje dhe komente ekskluzive për “Shkodra Sport” ka dhënë edhe Kamer Qaka. Mesfushori i kombëtares shqiptare që në të shkuarën ka luajtur me rumunët parashikon një duel shumë të fortë për kuqeblutë, por me shpresën se në futboll ndodh gjithçka dhe se Vllaznia mund ta kalojë këtë raund.

Qaka tha: “Kam qenë pjesë e Craiovas në sezonin 2019-20. Që atëherë ka qenë një skuadër e fortë dhe e tillë është edhe sot. Pavarësisht se kanë ndryshuar shumë lojtarë që kur isha unë pjesë e ekipit, sërish janë një ekip shumë solid.

A ka shanse Vllaznia ta kalojë ? Realisht unë nuk është se i njoh shumë ekipet e futbollit shqiptar. Por nga ato ndeshje që kam ndjekur, kampionat shqiptar më duket i fortë. Po ti krahasojmë ekipet, Craiova qëndron më lart. Por në futboll e dimë që jo gjithmonë fiton më i forti në letër. Prandaj them se Vllaznia mund të kualifikohet.

E ardhmja ime ? Unë jam pjesë e Mezokovesd në Hungari. Ndihem shumë mirë këtu dhe besoj se do vazhdoj të paktën edhe 1 sezon tjetër. Pastaj në të ardhmen nuk i dihet. Ndoshta një ditë do luaj edhe në Superligë”.

Endri ÇINARI