Futbolli është i bukur, sepse të jep mundësinë për t’u ringritur shpejt. Kështu, edhe për Vllazninë, që do të ketë menjëherë shansin për të hedhur pas atë paraqitje të dobët në ndeshjen e fundit ndaj Kukësin, në një sfidë speciale për tifozët shkodranë.

Këtë të shtunë luhet klasikja e Shqipërisë dhe në “Loro Boriçi” vjen Tirana, kryesuesja e kampionatit dhe për më tepër, me 14 pikë diferencë. Bardheblutë e trajnerit Shehi vijnë në këtë ndeshje pas barazimit në përballjen e derbit të Shqipërisë, me Partizanin.

Kështu, ndeshja ndaj Tiranës, është një nga ato ndeshje që dhuron motivimin ekstra për lojtarët, që do të kenë në favor të tyre edhe mbështetjen e tifozërisë kuqeblu, që padyshim do të jetë e shumtë në numër, duke krijuar atmosferën e duhur për një ndeshje të madhe si kjo.

Megjithatë, kjo do të jetë një nga ato ndeshje që trajneri Brdariç e ka përgatitur gjatë javës me detaje, edhe pse në këtë takim, grupin nuk do ta ketë të plotë, për shkaqe dëmtimesh. Trajneri Brdariç dhe skuadra shkodrane kanë mundësinë për të treguar, se mund të jenë akoma në garë për titullin kampion, që e kishin si synim që në fillim të sezonit, por një objektiv i tillë është shumë i vështirë, për të mos thënë fare i pamundur.

Gabimet që janë parë në ndeshjet e tjera, këtë herë ndaj Tiranës janë të ndaluara, si për sa i përket bujarisë me rastet e humbura dhe poashtu disa çthurjeve në fazën mbrojtëse.

Vllaznia ndaj Tiranës, duhet të provojë gjithçka për gjithçka, teksa kjo ndeshje do të luhet të shtunën, në orën 16:45, në stadiumin “Loro Boriçi”.
Maringlen ZHIVANI