Pas atij të Esin Hakajt, një tjetër “divorc” i papritur tek Vllaznia. Portieri Jurgen Mehidri dhe klubi kuqeblu kanë mbyllur këtu kontratën e tyre dhe si rrjedhojë kanë shtrënguar duart, duke i uruar suksese njëri-tjetrit.

Një gjë e tillë bëhet e ditur nga vetë burime të “Shkodra Sport” pranë klubit shkodran, ku konfirmojnë se kontrata tre-vjeçare me portierin Jurgen Mehidri është ndërprerë dhe sezonin e ri, ai nuk do të jetë pjesë e Vllaznisë.

Nga sa mësohet nga burime të “Shkodra Sport”, arsyeja e mbylljes së këtij bashkëpunimi ka qenë sepse drejtuesit kanë menduar që për sezonin e ri, portier i dytë të jetë i riu Aron Jukaj dhe një gjë e tillë nuk është pritur mirë nga Mehidri, teksa tashmë zyrtarizimi i largimit të tij nga Vllaznia është vetëm çështje orësh.

Për të siguruar katërkëndëshin për sezonin e ri, Vllaznia do të ketë të gatshëm portierët Kristi Qarri, Aron Jukaj dhe Rezart Bunjaj.
Maringlen ZHIVANI