Vllaznia do të luajë ndeshjen e rradhës me Partizanin, për gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Ish-futbollisti dhe ish-trajneri i njohur shkodran, Roland Luçi, i cili prej shumë vitesh jeton në Austri, në një intervistë për “Shkodra Sport”, jep përshtypjet e tij për takimin gjysëmfinal, Partizani-Vllaznia, si edhe ecurinë e kuqebluve në këtë sezon futbollistik.
Luçi thotë se do të jetë një ndeshje me një rivalitet të egër, megjithatë shprehet se Vllaznia ka treguar se ka një ekip më kompakt se Partizani.
“Ndeshjen e bën interesante dhe të tensionuar, sidomos fakti që kualifikimi direkt për Kupat e Europës nëpërmjet kampionatit, duket shumë i vështirë për të dy ekipet, kështu që rruga praktikisht e vetme mbetet Kupa e Shqipërisë.
Megjithatë, gjithsesi takimet ndërmjet Vllaznisë dhe Partizanit përmbajnë një rivalitet të vjetër që daton që me themelimin e Partizanit, ushqyerjen e tij dhe me mjaft djem shkodranë, gjë që i ka bërë përballjet mes tyre shume emocionuese. Këto emocione lidhen me traditën dhe ekzistencën e KS Partizani që sot sigurisht nuk ekziston më, por rivaliteti ka mbetur si traditë e bukur dhe e vlefshme për futbollin tonë dhe cilësinë e tij.
Sivjet, Vllaznia ka treguar se ka një ekip më kompakt se Partizani dhe plus kësaj në përballjet direkte, ka qenë më e suksesshme, gjë që emocionalisht dhe moralisht, e vendos ekipin e Vllaznisë në rolin e favoritit, në qoftë se do të luhet me kapacitet të plotë dhe jo si në Rrogozhinë ndeshjen e fundit të kampionatit, ku paraqitja e ekipit mori forma “groteske”.
Unë kam pritur më tepër nga Vllaznia këtë sezon, jo thjesht si renditje, por në rradhë të parë nga ajo që jep në fushë. Oshilacionet dhe paqëndrueshmëria kanë qenë evidente dhe në këtë aspekt edhe ndërrimi i trajnerit në këtë fazë të kampionatit, nuk më duket se sjell atë që drejtuesit e klubit kanë shpresuar me ndërmarrjen e një hapi të tillë në momentin për të cilin po flasim.
Gjithsesi, mendoj se Vllaznia në kushtet e zhvillimit normal të kampionatit, ka mundësi të parakalojë në renditje një ekip si Kukësi, sipas meje më i dobët se Vllaznia dhe të jetë përsëri mes atyre që marrin pjesë në ndeshjet europiane në verë, pavarësisht si shkon puna me Kupën e Shqipërisë.
Titulli kampion mendoj se qysh në fillim të kampionatit u pa se ishte një “kafshatë që nuk kapërdihet” për Vllazninë, por lufta për vendet e nderit është akoma e hapur.
Shkodra më mungon më tepër se Vllaznia, sepse kjo e fundit është e pranishme në ekran live çdo javë, kurse Shkodrën mund ta shijoj vetëm virtualisht nëpërmjet ekranit, prandaj ajo më mungon më shumë.
Drejtimi nga ana ime i Vllaznisë ishte një episod që mua të paktën, më ka mbetur në kujtesë me dritëhijet përkatëse, zhvillimin anormal të kampionatit atë periudhë, kur trajneri i Vllaznisë ishte i pafuqishëm të ndryshonte faktorët jo-sportivë, që përcaktonin rezultatet e ndeshjeve më tepër se zhvillimi i ndeshjeve në fushë.
Eksperienca e drejtimit të një ekipi shqiptar quhet e mbyllur përfundimisht për mua, e lidhur kjo edhe me moshën dhe banimin larg Shqipërisë.
Eshtë mëkat që ekipi me tifozërinë më të zjarrtë, që praktikisht përbën të gjithë qytetarët e Shkodrës meshkuj dhe femra, të notojë në ujërat e turbullta të mes tabelës së kampionatit, në vend që të ishte njësia matëse e cilësisë së futbollit tonë, ashtu si djemtë e Shkodrës janë gjithmonë të pranishëm në rolin e protagonistit në ekipin e Kombëtares së Shqipërisë, si dikur, edhe tani”,-mbylli prononcimin e tij, ish-trajneri i Vllaznisë, Roland Luçi.
Maringlen ZHIVANI