Zvicra do të përballet me Kosovën në një ndeshje miqësore më 29 mars. Kjo përballe është e veçantë pasi pjesë e kombëtares helvete janë edhe lojtarë me origjinë shqiptare.

Një prej tyre është edhe Xherdan Shaqiri, i cili me shumë gjasa sot ë jetë titullarë në këtë përballje, teksa është një nga sfidat më të veçanta për të.

Në prag të kësaj miqësoreje, për “Sporti Total”, Shaqiri është shprehur se mezi pret të jetë në fushë, ndërsa theksoi se si në çdo ndeshje tjetër edhe në përballen me dardanët do të japë 100% e tij, teksa po shënoi për respekt nuk do të festojë.

“Është një ndeshje miqësore në mes të dy shteteve mike. Është një ndeshje shumë emocionale për shumë lojtarë, jo vetëm për ne që kemi lindur në Kosovë, që janë me rrënjë nga Kosova, por edhe për lojtarët që luajnë për Kosovën që janë rritur në Zvicër.

Është një ndeshje emocionale, por edhe shumë miqësore. Mezi pres ta luaj këtë ndeshje kundër Kosovës.

Unë kam respekt për Kosovën dhe Shqipërinë. Sporti është sport dhe si në çdo ndeshje edhe ndaj Kosovës do të jap 100 % nga vetja. Po të kem rast duhet të shënoj, por sigurisht se nuk do të festoja nëse do të shënoja gol, sepse kam shumë respekt për Kosovën”, do të theksonte 30-vjeçari.