Mbrojtësi shkodran i Bylisit, Aleksandër Trumçi, është një nga ata futbollistë që pëlqehet nga Vllaznia për të veshur fanellën kuqeblu. Burime të “Shkodra Sport” bëjnë me dije se trajneri i skuadrës, Migen Memelli, së bashku me drejtorin Elvis Plori, e pëlqejnë mbrojtësin 22-vjeçar dhe po planifikojnë ta kenë së shpejti nën urdhërat e tyre.

Megjithatë, diçka që mund të jetë pengesë për kalimin e Trumçit te Vllaznia, është se mbrojtësi shkodran i Bylisit është ende nën kontratë me ballshiotët, të paktën edhe për sezonin e ardhshëm. Në fakt, nuk dihet ende cila do të jetë e ardhmja e futbollistit shkodran, por gjithsesi fakt është që në Shkodër e duan dhe madje ka patur edhe kontakte mes palëve.

Realisht, në sezonin që lamë pas në aktivizimin me Bylisin, Trumçi dha një kontribut të rëndësishëm në ekipin ballshiot, teksa forma e mirë e tij dhe ritmi që ai ka pasur gjatë kësaj periudhe kanë bërë që për futbollistin shkodran të ketë opsione të reja për të ardhmen e tij.

Këtë sezon me Bylisin, mbrojtësi shkodran Aleksandër Trumçi ka luajtur 34-ndeshje, ku ka shënuar edhe dy gola dhe ka dhënë edhe tre assist.

Ai u shndërrua në një nga pikat më të forta te skuadra e ballshiotëve dhe për këtë arsye, ka rënë në sytë e drejtuesve të skuadrave të tjera. Gjithsesi, në vazhdim mbetet për t’u parë se sa do të bëhet realitet lëvizja e Aleksandër Trumçit drejt Vllaznisë.
Maringlen ZHIVANI