Skënderbeu rrezikon të humbasë një prej yjeve të ekipit më shpejt sesa mund të ishte parashikuar. Bëhet fjalë për Bekim Rexhepin, portieri i cili në dy sezonet e fundit është kthyer në një shtyllë të rëndësishme për ekipin bardhekuq.

Gardiani 25-vjeçar i Skënderbeut po luan sezonin e dytë në Korçë si i huazuar nga ekipi i Shkëndijës së Tetovës teksa paraqitjet e tij deri në këto momente kanë qenë mbresëlënëse. Kjo është bërë shkak që në drejtim të klubit tetovar të ketë interesime nga ekipe të tjera që kërkojnë të marrin shërbimet e Rexhepit duke nisur nga merkatoja e janarit.

Burime të sigurta të gazetës “Panorama Sport” pranë klubit tetovar bëjnë me dije se janë tri ekipe turke që luajnë në kategorinë e parë, të cilat kanë kërkuar fillimisht informacion për lojtarin shqiptar të Maqedonisë së Veriut. Por, po të njëjtat burime bëjnë me dije se tratativa duket se ka shkuar më tej interesimit dhe nga momenti në moment mund të ketë ndonjë ofertë konkrete për të marrë shërbimet e Rexhepit, i cili është duke shkëlqyer te Skënderbeu.

Për momentin emrat e ekipeve mbahen sekret nga klubi tetovar dhe menaxherët që po merren me këto tratativa, por në rrugë konfidenciale, gazeta zbulon se një prej ekipeve të interesuara është edhe Ankaraguçu që këtë sezon kërkon ngjitjen në elitën e futbollit turk.

Skënderbeu – Sigurisht që interesimi i ekipeve turke për Rexhepin është një lajm i mirë që vlen për një hap të rëndësishëm në karrierën e 25-vjeçarit që po tregon rritje dhe nivel të lartë nga ndeshja në ndeshje.

Megjithatë, duket se këto sirena merkatoje janë kthyer në sirena alarmi për Skënderbeun, që mund të humbë shërbimet e lojtarit para përfundimit të periudhës së huazimit. Ende nuk është e qartë se cila është marrëveshja mes dy klubeve për huazimin e Rexhepit, por nëse në kontratë është parashikuar ndonjë klauzolë specifike për përfundimin e afatit të huazimit në rast të ndonjë oferte të mundshme, atëherë Rexhepi mund të largohet që në janar.

Në të kundërt transferimi i portierit bardhekuq do të vinte në fund të sezonit, gjithmonë nëse palët bien dakord mes tyre për mbylljen me sukses të kësaj tratative. Rexhepi në dy sezonet e fundit ka luajtur 16 ndeshje me Skënderbeun duke u kthyer në një pikë të rëndësishme për korçarët. Një sezon më parë ishte një nga më të mirët në arritjen e mbijetesës me ekipin bardhekuq, ndërsa këtë sezon po tregon soliditet dhe garanci për prapavijën bardhekuqe.