Albin Gashi nuk është më një lojtar i Kukësit. Burime të besueshme konfirmojnë për gazetën se mesfushori ka shkëputur marrëdhëniet me klubin. Mësohet se ka qenë vetë 24-vjeçari ai që ka kërkuar ndërprerjen e bashkëpunimit, duke pasur parasysh edhe mungesën e hapësirave, pasi është aktivizuar vetëm në tri ndeshje përgjatë këtij sezoni.
Gazeta kontaktoi me vetë lojtarin, i cili shkurtimisht konfirmoi ndërprerjen e bashkëpunimit, por sipas tij, për arsye familjare. “Po, nuk jam më një lojtar i Kukësit dhe jam larguar për arsye familjare”, konfirmoi mesfushori për “Panorama Sport”. Gashi erdhi sezonin e kaluar në radhët e verilindorëve dhe u aktivizua në 27 takime, duke qenë ndër futbollistët më të preferuar të skuadrës.
Gjithashtu, ai shënoi edhe një gol. Por, me ardhjen e Longos dhe afrimeve të bëra në skuadër gjatë merkatos së verës, kryesisht në fazën ofensive, futbollisti nuk ishte ndër të preferuarit e teknikut, duke u lënë shpesh në pankinë.
RAPO – Në të njëjtën situatë me Gashin duket se ndodhet edhe mbrojtësi Donald Rapo. Edhe pse 31-vjeçari ende nuk e ka ndërprerë zyrtarisht bashkëpunimin me ekipin, burimet pohojnë se është çështje ditësh edhe largimi i tij nga verilindorët, sepse lojtari ka kërkuar që të zgjidhë marrëveshjen dhe në muajin janar të jetë i lirë. Mësohet se palët janë në fazë bisedimi për t’u ndarë miqësisht dhe gjasat janë që Kukësi të mos i hapë probleme, edhe për faktin se Rapo nuk po preferohet nga Longo.
Italiani, në të shumtën e ndeshjeve, e ka dërguar në tribunë dhe nuk i ka dhënë asnjë minutë në kampionat dhe në një situatë të tillë, duket se zgjidhja është largimi dhe vijimi i aventurës së mbrojtësit diku tjetër. Rapo u afrua këtë verë në radhët e ekipit të Kukësit, ndërkohë që më herët pati luajtur në Superiore me Laçin dhe Luftëtarin.
SITUATA – Ndërprerja e bashkëpunimit me Gashin dhe, sipas të gjitha gjasave edhe me Rapon, duket se nuk prish ekuilibrat në ekip, pasi Longo nuk i kishte në preferencat e tij.
Në këtë mënyrë, hapet rruga që në merkaton e janarit Kukësi të bëjë të tjera përforcime në këto dy reparte, për t’i vënë në dispozicion teknikut alternativa të tjera, të cilat mund t’i vlejnë për të realizuar objektivat. Duke parë lojën e zhvilluar edhe rezultatet e arritura, deri më tani zgjedhjet e trajnerit kanë rezultuar të duhurat.