Bedri Omuri kritikon mesfushën dhe sulmin për gjendjen e Tiranës këto dy javë kampionat. Ish-i i njohur shprehet se bardheblutë duhet të ndryshojnë, ndërsa sheh Egnatian si pikën e kthesës apo zhytjes në krizë. Omuri analizon çdo repart dhe nga gjendja shpëton vetëm mbrojtja që këtë vit është solide.

Zoti Omuri, e keni ndjekur Tiranën këto javë? Prishi për dy javë një nisje perfekte…

Në fakt, vetëm takimin e Kupës së Shqipërisë me Dinamon nuk e kam ndjekur. Kisha pritshmëri, sepse skuadra nisi mirë, por dy javët e fundit gjendja nuk është e mirë. Pashë një skuadër pa ide.

Shumë e avashtë, e lexueshme dhe për më tepër me probleme në sulm. Si Seferi dhe Ngoja nuk kanë bërë asgjë dhe janë shumë larg të qenit sulmues të Tiranës. Mendoj se këtu është problemi i Tiranës, sulmi, konkretizimi i atyre pak rasteve të sulmit që vijnë në një ndeshje.

Ju prekni Seferin dhe  Ngonë. Seferi ka shënuar pesë herë, ndërsa Ngoja dy gola…

Seferi krijon volum loje, lufton, është gjithandej në fushë, por shumë pak e sheh portën. Me atë punë që bën ai është gjynah që të mos shënojë gola. Sa për Ngonë, mund të them se është jashtë forme. Nuk është fare në lojë. Nuk e di çfarë ka, por as godet portën me këmbë, me kokë dhe as nuk jep asist.