Vllaznia U-21 ka fituar sërish edhe ndeshjen e rradhës për kampionat, duke e siguruar matematikisht vendin e parë të renditjes dhe duke u shpallur në këtë mënyrë kampione e këtij edicioni futbollistik. Përballja e sotme ka qenë ajo me Teutën, e luajtur në aneksin e stadiumit “Niko Dovana” në Durrës, të cilën kuqeblutë e kanë fituar me rezultatin 2-3.

Kështu, kanë qenë miqtë nga Shkodra ata që shënuan të parët falë një autogoli të portierit të Teutës, Salobehaj. Më pas, rezultati do të thellohej në 0-3, falë golave të futbollistëve Shpuza dhe Delaj.

Në pjesën e dytë, Teuta ngushton shifrat në 1-3 dhe vetëm pas pak minutash, ata shënojnë edhe një gol tjetër. Megjithatë, deri në fund rezultati do të mbetej i pandryshuar dhe gjithçka do të mbyllej 2-3 në favor të Vllaznia U-21, me këta të fundit që marrin në këtë mënyrë një fitore me mjaft vlerë që i shpall ata kampionë të këtij edicioni.

Padyshim, një meritë për këtë sukses ka edhe trajneri Elvis Plori, por edhe futbollistët e tjerë të formacionit të drejtuar nga ana e tij, që me paraqitjet e tyre personale, i sollën këtij ekipi titullin e parë kampion për këtë grupmoshë.

Me fitoren ndaj Teutës, Vllaznia U-21 është ngjitur në kuotën e 39-pikëve, duke udhëhequr renditjen dhe duke u shpallur edhe matematikisht fituesja e titullit kampion këtë sezon. /Maringlen ZHIVANI/

U-21: Teuta-Vllaznia 2-3

Golat: Çyrbja 71’, 77’ / Salobehaj (aut) 14’, Shpuza 18’, Delaj 36’

Teuta: Salobehaj, Kurti, Muka, Zaimaj, U. Hoxha (Berisha 41’), Çejku, Bebeziqi, Tepshi, Çyrbja, Salillari (Mhilli 86’), Oshafi (në dispozicion: E. Hoxha) Tr: Gentian Begeja

Vllaznia (4-2-3-1): Shkoza, Xhilaj, Pusi (Bushaj 60’), Paloka, Spahija, Dulaj, Peku, Maliqi (Zahi 73’), Pjeshka, Delaj (Bizi 61’), Shpuza (Troshani 90’) (në dispozicion: Bunjaj, Shimaj, Jahaj) Tr: Elvis Plori

Kartonë të verdhë: Muka 33’, 90’ / Pusi 34’, Xhilaj 56’

Kartonë të kuq: Muka 90’