Një Vllazni e çoroditur dhe zhgënjyese në çdo aspekt… Ndoshta, kjo mund të jetë fjalia e duhur për të përshkruar ekipin kuqeblu në ndeshjet e fundit të zhvilluara nga ana e tyre.

Në këtë fillim kampionati ishin të gjitha premisat për një Vllazni të denjë për titull kampion, gjë shumë e dëshiruar për sportdashësit shkodranë. Realisht, fillimi ishte bindës, por pas disa javëve kampionat filloi çoroditja dhe loja tepër zhgënjyese e ekipit.

Këto rezultate sollën edhe shkarkimin e trajnerëve Mirel Josa dhe Auron Miloti. Së fundmi, presidenti Alban Xhaferi vendosi të emërojë në stolin e Vllaznisë, trajnerin maqedonas Goçe Sedloski.

Nën drejtimin e këtij të fundit në shtatë ndeshje mes kampionatit dhe Kupës, ekipi kuqeblu ka arritur të marrë një fitore, tre barazime dhe tre humbje. Ndoshta, nuk është faji i tij dhe nuk ka pse të gjykohet në këtë moment për atë që po bën, por realisht shpresat në Europë tashmë janë “venitur” së tepërmi, me apo pa fajin e Sedloskit.

Megjithatë, si mund të dilet nga kjo situatë dëshpëruese që ka “kapluar” futbollin shkodran? Kjo është një pyetje që e shtrojnë të gjithë. Ndoshta në këtë mes, pa përgjegjësi dhe pa faj nuk është as presidenti Alban Xhaferi dhe as stafi drejtues i klubit, por gjithsesi koha do të mund ta tregojë një gjë të tillë.

E vërteta është që sot futbolli shkodran pas eleminimit nga Kupa e Shqipërisë, po përjeton ditë të vështira. Objektivi titull ka marrë fund prej javësh, por gjithsesi shpresohet fort tek hyrja në Europë, duke u renditur në vendin e katërt.

Realisht, sportdashësit shkodranë nuk e meritojnë këtë zhgënjim, me shumë prej tyre që padyshim do të fillojnë të braktisin Vllazninë, duke boshatisur edhe shkallët e stadiumit. Megjithatë, ndoshta renditja e kuqebluve në katërshen më të mirë të kampionatit dhe arritja në Europë, mund t’i rikthejë sërish ata, pasi një situatë të tillë nuk e meritojnë as tifozët, por as vetë emri i madh i Vllaznisë…
Maringlen ZHIVANI