Stafi teknik i Vllaznisë, së bashku me presidentin Alban Xhaferi, vijojnë punën e tyre në drejtim të një ri-organizimi ndryshe të skuadrës për sezonin e ardhshëm. Nga sa është parë, pjesa e sezonit të kaluar nuk shkoi sipas planeve të drejtuesve, që do të thotë se skuadra ka pasur luhatje jo të vogla në paraqitjet e saj dhe për këtë stafi teknik, me në krye trajnerin Migen Memelli, së bashku me drejtorin sportiv Elvis Plori dhe presidentin Alban Xhaferi po mendojnë një ri-organizim në këtë merkato të verës, siç dihet tashmë prej ditësh.
Kështu, është menduar që tashmë skuadra të përforcohet në repartin e mbrojtjes, ku është edhe fokusi kryesor, që në sezonin e fundit, ky repart u shfaq tepër problematik. Pikërisht, për disa pozicione në repartin e prapavijës, janë piketuar edhe disa emra konkretë, me të cilët kanë nisur prej ditësh bisedimet.
Burime brenda klubit kuqeblu pohojnë për “Shkodra Sport” se dy emrat më të lakuar së fundmi janë futbollistët Redon Dragoshi dhe Rudolf Turkaj. Dragoshi ka luajtur më parë me Kukësin, ndërsa Turkaj ka qenë pjesë e Laçit.
Tashmë, duke qenë se që të dy i kanë mbyllur kontratat e tyre me ish-klubet, drejtuesit e Vllaznisë i shikojnë si alternativa për t’u veshur kuqeblu. Për momentin, këto janë emrat e rradhës që po lakohen si afrime të reja në klubin kuqeblu, por se sa do të realizohen mbetet për t’u parë në ditët në vazhdim.
Maringlen ZHIVANI