-Ditët e fundit një temë e nxehtë dhe emri që është përmendur më shumë në merkaton e Superiore ka qenë ai i Erald Çinarit. Sa që në median e shkruar është deklaruar se 27-vjeçari tashmë do jetë pjesë e Vllaznisë. Por siç “Shkodra Sport” e ka theksuar edhe në shkrimet e kaluara asgjë nuk është konkrete në këtë pistë.

Shkodrani dhe klubi kuqeblu janë shumë larg një marrëveshjeje dhe lajmet e fundit qëndrojnë më së shumti në formën e aludimeve. Për mëngjërashin, i cili është ende nën kontratë me Shkëndijën e Tetovës ka një interes të lartë nga Superliga shqiptare, Kosova, por edhe vetë Shkëndija. Ku kuqezinjtë tetovarë nuk duan të humbin një prej lojtarëve më të spikatur të sezonit.

Gjithashtu gazeta mëson se për ish-futbollistin kuqeblu ka një interes shumë të lartë edhe nga kampionatet e huaja. Duke theksuar këtu kampionate nga lindja e Mesme. Por gjithashtu edhe nga Ukraina dhe Hungaria në Europë. Synimi i vetë Çinarit është ta vijojë karrierën jashtë vendit e po ashtu jashtë rajonit të Ballkanit.

Pavarësisht zërave të shumtë ende s’ka asgjë konkrete për të ardhmen e numrit 7-të. Por me 5 golat e tij e po ashtu 12 asistet që shënoi me fanellën e Shkëndijës në sezonin që u mbyll, Çinari do ishte një luks për gjithë ekipet e Superiores. Prandaj edhe zërat për një transferim të tijin në merkato do jenë të shumtë deri në zyrtarizimin e një marrëveshjeje nga ana e 27-vjeçarit./www.shkodrasport.com/