Idriz Batha është shndërruar në një nga personazhet më të rëndësishme të merkatos së futbollit shqiptar, sepse numri i skuadrave që duan ta kenë në gjirin e tyre është jo i vogël.

Mesfushori me largimin nga klubi rumun UTA Arad, duket se e ka mbyllur aventurën e tij jashtë Shqipërisë dhe po përgatitet të rikthehet për një “kërcim të fundit” atje ku hodhi hapat e parë dhe nisi rrugëtimin e tij, pikërisht në Abissnet Superiore.

Për të afruar mesfushorin gjirokastrit, ishte i gatshëm edhe ekipi i Vllaznisë. Trajneri Migen Memelli dhe drejtori sportiv Elvis Plori e dëshironin për ta marrë në ekip Bathën. Megjithatë, sipas asaj që mësohet nga burime të “Shkodra Sport”, negociatat midis Vllaznisë dhe Idriz Bathës kanë ngecur.

Arsye për këtë gjë është bërë vetë mesfushori gjirokastrit, i cili ka kërkuar një pagë më të lartë nga ajo që pretendonin drejtuesit e Vllaznisë. Tashmë, mesa duket mundësia e Idriz Bathës për t’u veshur kuqeblu është drejt mbylljes.

Gjithsesi, në garë për mesfushorin gjirokastrit janë Partizani, Tirana, Egnatia dhe Shkëndija e Tetovës, me bardheblutë që duken më afër shërbimeve të tij për ta pasur në gjirin e ekipit. Tashmë, gjithçka mbetet për t’u parë dhe zbuluar në ditët në vijim, me merkaton që ka shumë zhvillime.
Maringlen ZHIVANI