Ndërprerja e futbollit thuajse në të gjithë botën ka prishur jo pak plane të FIFA-s, UEFA-s, Federatave dhe klubeve të ndryshe. Por jo vetëm atyre.

Situata e krijuar nga koronavirusi i ka prishur jo pak plane edhe menaxherëve, lojtarëve që kanë qenë në prag të
transfertave dhe shumë gjëra të tjera.

Por ndërkohë, një situatë e tillë i ka prishur punë edhe një futbollisti të talentuar shkodran, pikërisht 17 vjeçarit
Albi Shpuza. Më datë 1 muaj ai ka patur të programuar të zhvillonte provën e dytë tek ekipi “Pescara” në Itali.

Provën e parë ai e ka zhvilluar disa muaj më parë dhe ka lënë përshtypje të mirë tek drejtuesit e klubit dhe ato të
Akademisë, të cilit i kishin kërkuar edhe një provë të dytë para se të merrnin vendimin përfundimtar për të.

Megjithatë Shpuza e ka patur të pamundur të jetë në Itali këtë periudhë si rrjedhojë e mbylljes së kufinjve dhe për pasojë, ai shpreson të gjejë mirëkuptimin e drejtuesve të klubit “Pescara”, duke shpresuar që me hapjen e kufinjve, ai të udhëtojë menjëherë drejt vendit fqinj duke shpresuar t’i bindë plotësisht drejtuesit e këtij klubi dhe të finalizohet marrëveshja e lënë përgjysëm me ta.

Kujtojmë që Shpuza është një nga lojtarët më të spikatur të kampionatit U17 të Kategorisë Superiore. Duke luajtur në pozicionin e sulmuesit, ai ka qenë një lojtar shumë përcaktues për ekipin “KF Shkodra” dhe për rrjedhojë ka qenë edhe ndër shënuesit më të mirë të kampionatit.

Dëshira e tij kuptohet që është vazhdimi i karrierës jashtë vendit dhe duket shumë pranë realimit të kësaj ëndrre. Covid-19 ndoshta e ka shtyrë pak atë, por nuk e ka përfunduar. Albi Shpuza pritet që sezonin e ardhshëm të vazhdojë karrierën e tij në Itali.
© shkodrasport.com