Futbollit i erdhi dita. Prej më shumë se dy javësh FSHF po ushtron presion për të bindur qeverinë të japë dritën jeshile për të lejuar futbollistët të stërviten në grupe të vogla e më pas të vendosë një datë për rinisjen e Kategorisë Superiore, së cilës i kanë mbetur edhe 10 javë nga mbyllja.

Pas lajmit se më në fund Ministria e Shëndetësisë ka pranuar të bashkëpunojë me FSHF për hartimin e një protokolli rigoriz mbi organizimin e ndeshjeve dhe stërvitjes, vjen edhe një tjetër lajm i mirë për të gjithë futbollistët dhe jo vetëm. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ditën e sotme ka bërë të ditur planin e hapjes deri në javen e tretë të këtij muaji.

Ajo ka njoftuar se do të hapen një sërë aktivitetesh më datë 11 dhe më pas më datë 18 do të hapen biznese me risk më të lartë si baret dhe restorantet e gjithashtu do të lejohet stërvitja e sportistëve në ambiente të hapura, çka do të thotë se e gjithë Superiorja dhe Kategoria e Parë do zbresin në fushë në mënyrë të rregullt për herë të parë që nga java e dytë e marsit.

“Në vijim të planit, prej datës 18 maj nis procesi mësimor dhe provimet e maturës shtetërore, hapen baret dhe restorantet vetëm në ambiente të jashtme, shtohen fluturimet nga jashtë, hapen muzetë dhe sitet arkeologjike, lejohen stërvitjet e sportistëve në ambiente të hapura dhe vazhdojnë të ndalohen aktivitetet sportive dhe kulturore”, tha ndër të tjera ministrja. /vipsport/