Vllaznia po bën seleksionimet e fundit për pjesën e futbollistëve aktualë që do të jenë pjesë e klubit për sezonin e ri. Kështu, baza e skuadrës së ardhshme thuhet se do të vijojë të jetë pak a shumë po e njëjta dhe futbollistët që do të afrohen do t’i përshtaten grupit, me të cilin kuqeblutë mbyllën këtë edicion.
Emri i rradhës që është pranë rinovimit edhe për një vit është mesfushori shkodran Herald Marku. 27-vjeçari ka pasur kontratën një-vjeçare me opsion rinovimin edhe për një sezon tjetër dhe burime të “Shkodra Sport” pranë kampit shkodran pohojnë se Markut i është propozuar shtyrja e kontratë edhe për këtë edicion.
Në fakt, mesfushori shkodran ka qenë një nga futbollistët stabël të formacionit të Vllaznisë, ku është preferuar pothuajse gjithnjë në qendër të mesfushës dhe paraqitjet e tij kanë bindur klubin.
Përgjatë sezonit që lamë pas, ai u aktivizua në 35-takime, në 29 prej tyre si titullar, ndërsa gjashtë ndeshje të tjera është futur nga stoli.
Maringlen ZHIVANI