Në Shkodër është mjaft i njohur, jo vetëm sepse ka luajtur futboll me Akademinë Vllaznia, por edhe për lidhjet e shpeshta me studiot televizive lokale nga Gjermania. Bëhet fjalë për Gleart Golemi, që aktualisht studion për futbollin dhe ushtron detyrën e trajnerit të moshave në klubin e Leverkusenit.

“Kam patur dhe fatin që edhe për shkak të punës sime të jem i angazhuar si tek kombëtarja gjermane, por dhe tek Bajer Leverkusen dhe tani presim për të ardhmen”, thotë Golemi. Golemi ka analizuar njëkohësisht edhe ecurinë e Vllaznisë në këtë mbyllje të vitit 2023.

“Tashmë me ardhjen e stafit të ri dhe kryesisht trajnerit Osmani duket se ka ndryshuar atmosfera në ekip. Kjo dhe duke parë edhe karakterin e tij si trajner, apo si person, ndërsa shihet se ka sjellë një atmosferë tjetër në ekip. Ka sjellë një pozitivitet dhe atë qetësinë që e karakterizon dhe atë vetë. Dhe gjithçka e ka përcjellë dhe tek skuadra”, nënvizoi videoanalisti Golemi.

Vllaznia, aktualisht është në katërshen finaliste, por Golemi beson se me formulën e re kuqeblutë mund të jenë pretendent për titull kampion, ndonëse si favorit kryesor shikon Egnatian.

“Për mua është i arritshëm. Pra Final-Four është i arritshëm nga Vllaznia. Dy ekipet e vetme që i shoh pak të distancuara nga skuadrat e tjera të Superiores janë Egnatia e Partizani. Ekipet e tjera nuk shoh diferenca. Mund të thoja dhe Tiranën, por dhe pse ka organikë të mirë nuk e lidhur ende si skuadër dhe mund t’i mposhtësh si brenda, ashtu dhe jashtë. Kështu që pse jo”, përfundoi Golemi.