Në dy vite me fanellën kuqeblu, portieri ka fituar dy kupa të Shqipërisë dhe padyshim që këto janë momente të cilat ai nuk do t’i harrojë kurrë. Portieri Bojan Zogoviç në një intervistë ekskluzive për gazetën “Shkodra Sport” shprehet se këto dy vite janë më të mirat e karrierës së tij sportive.
Në intervistën e tij per gazetën tonë, njëkohësisht portieri 34 vjeçar bën të ditur se është në bisedime me drejtuesit kuqeblu për të rinovuar edhe me një vit tjetër kontratën. Për më shumë lexoni më poshtë prononcimin e Bojan Zogoviç dhënë për “Shkodra Sport”:
– Bojan, i lumtur që mbyllët një tjetër sezon me trofe te Vllaznia?
Po, sigurisht. Jam i lumtur sepse e përfunduam edhe sezonin e dytë rradhazi në mënyrën më të mirë. Morëm Kupën për të dytën herë rradhazi dhe do të shkojmë në Europë. Mendoj se kjo është diçka shumë e mirë dhe klubi duhet të luajë vazhdimisht në Europë.
– Kishit frikë se nuk do ia dilnit në finale?
Jo, madje edhe kur Laçi shënoi në fillim, unë sërish isha optimist. E dija që kishim një ekip të mirë dhe isha i sigurtë se do të fitonim. Ajo çfarë është më e rëndëisshmja, ne treguam karakter. Më vjen keq që nuk u renditëm në një vend më të mirë në kampionat, por në ndeshjet e fundit korigjuam diçka dhe në finalen e Kupës shkuam me meritë në Europë.
– Por Laçi ju la në ankth deri në sekondën e fundit…
Laçi është një ekip i madh, por në çdo ndeshje ndaj tij këtë sezon, ne ishim më mirë se ata. Nuk kishim të drejtë të gabonim në finale dhe treguam se jemi një ekip i mirë.
– Jeni parë shumë i lumtur në fund të ndeshjes. Një sezon i madh edhe për ju në aspektin personal?
Mendoj se askund në karrierën time të mëparshme nuk kam qenë kaq i lumtur sa këto dy vitet e fundit te Vllaznia. Të fitosh dy Kupa në dy vjet, është një sukses i madh. Shumë njerëz edhe në Mal të Zi më uruan dhe tashmë shumë njerëz po e ndjein Superligën shqiptare dhe Vllazninë. Tani dua të luaj mirë edhe në Europë për këtë skuadër.
– Burime pranë Vllaznisë bëjnë të ditur se ju kanë ofruar një kontratë të re edhe për sezonin e ardhshëm. Keni biseduar me drejtuesit?
Po, kam biseduar dhe mendoj se do të mbyllim një marrëveshje të re.
– Dëshira juaj është të vazhdoni edhe për një sezon tjetër me Vllazninë?
Pse jo. Unë jam në Shkodër prej dy vitesh dhe ndihem shumë mirë, si në qytet ashtu edhe në klub.
– Çfarë presim nga Vllaznia në Kupat e Europës dhe në sezonin e ri të futbollit shqiptar?
Mendoj se detyrimi ynë është që të përpiqemi të bëjmë rezultate sa më të mira në Europë fillimisht. Ndoshta është shumë herët për të folur më shumë, por klubi me siguri që dëshiron rezultate të mira dhe ne do të mundohemi t’i arrijmë ato.