Pas ndeshjes së djeshme të luajtur dhe të barazuar 0-0 në Tiranë ndaj bardhebluve, trajneri i shkodranëve, Rudi Vata, është shprehur i kënaqur për pikën e marrë në Tiranë, por njëherazi ka akuzuar se futbolli shqiptar nuk po luhet ndershëm. “Nuk i dhashë taktika skuadrës në dhomat e zhveshjes, sepse nuk jam për një futboll mashtrues, ashtu siç luhet sot në Shqipëri. Unë dua një futboll të ndershëm, madje edhe në stërvitje rri gjithë kohës në këmbë. Sigurisht, një futboll të tillë po e vëmë re edhe këto javë. Vllaznia po luan ndershmërisht. Ka aleanca, që media i di, janë pëshpëritje që nuk i kam vërtetuar. Në Shqipëri nuk ka futboll të ndershëm. Në qoftë se dikush nga ju thotë që ka, atëherë unë jap dorëheqjen nga futbolli qysh sot. Nuk e përjetuam si një finale me Tiranën, thjesht si një ndeshje normale. Unë qëndrova gjatë gjithë kohës në këmbë dhe jepja udhëzime, sepse e ndiej futbollin, që është një lojë aktive dhe jep emocione dhe po të marrësh një pikë në një ndeshje shumë të rëndësishme, si kjo e jona me Tiranën, do të thotë që është ndjesi e mirë.
Ishte një sfidë e vështirë për Vllazninë, sepse luanim në kryeqytet me Tiranën, një nga ekipet me më shumë tituj në vend. Skuadra ime tregoi se ka vlera dhe di të luajë futboll, me ekipet e mëdha si Skënderbeu, Teuta apo Tirana, ku motivohemi dhe kjo tregon se kemi brumë të luajmë futboll. Natyrisht që nuk mund të them që jemi skuadra më e mirë e kampionatit shqiptar, sepse nuk është investuar për të qenë e tillë, por mua më pëlqeu loja e Vllaznisë dhe pika ndaj Tiranës.Kemi kualitete që nxjerrin ndeshje të mira, që dijnë të luajnë edhe ndaj skuadrave me traditë. Më vjen keq për Tiranën, sepse kam luajtur dhe kam ndjesi të mirë për këtë klub. Kam shumë miq te ky klub”. I pyetur ndërkohë në lidhje me të ardhmen e tij ngaqë para ndeshjes u përfol një largim i mundshëm në rast humbje, megjithatë Vata shprehet i qetë për këtë duke thënë: “E ardhmja Pas humbjes me Kastriotin në “Loro Boriçi” drejtuesit shkodranë, nën zë në media kanë deklaruar se prisnin dorëheqjen, por vetë Vata dje ka thënë. “E ardhmja ime është e bardhë, është futbolli dhe po përpiqem që të bëjë diçka pozitive me Vllazninë në rolin e trajnerit.Edhe pse dikush bën plane për Vatën, mua s’më intereson unë kam llogaritë e mia dhe planin tim, kështu që unë jam përkushtuar kësaj pune me punë dhe pasion dhe nuk jam natyrë që tërhiqem kollaj. Jam nga ato luftoj deri në fund, por ka edhe njerëz që mund të mos më pëlqejnë, kjo s’më bën përshtypje, unë shoh punën time. Unë mendoj për ndeshjen e radhës me Flamurtarin ku shpresojmë të fitojmë,” – tha në fund të fjalës së tij trajneri Rudi Vata.
www.shkodrasport.com