Opinion nga Admir URUÇI

Dëgjoj shpesh këto kohët e fundit trajnerin Vata të thotë se kaq ishin mundësitë, kaq ishin investimet dhe këtë vend meriton Vllaznia në tabelën e renditjes. Pra, vendin e pestë apo të gjashtë. Kam dëgjuar edhe specialistë të njohur të futbollit si Ramazan Rragami që e quan normale eliminimin e Vllaznisë nga kupa që në çerekfinale sepse skuadra nuk ka më tepër mundësi. Po ashtu, dëgjoj prej tij të thuhet se skuadra po fiton shumë gjëra për sezonin e ardhshëm e këtu e ka fjalën për elementët e rinj por në fakt, këtu desha të ndalem sepse nuk jam shumë dakord me këto mendime. Nëse thuhet se nuk është bërë nami ngaqë Vllaznia nuk arriti objektivat e veta këtë sezon, edhe mund të kenë të drejtë sepse nuk është hera e parë që ndodh kjo gjë. Por të thuash se po mendohet për sezonin e ardhshëm, këtu mendoj se ka pak abuzim me këtë shprehje. Më thoni cilin lojtar të ri ka fituar Vllaznia për sezonin e ardhshëm? Janë marrë lojtarë si Brnoviç, Jabllan, Moreno dhe Vuk me kontrata 4-5 mujore dhe ndonëse për ta është shpenzuar shumë, ata në fund të sezonit nuk do jenë më pjesë e Vllaznisë. Por ata i kanë zënë vendin 4 lojtarëve të rinj shkodranë që fare mirë, në një skuadër pa pretendime mund të kishin zënë vend dhe kishin filluar të krijonin përvojën e duhur për sezonin e ardhshëm. Pastaj, shohim disa lëvizje të çuditshme të lojtarëve të rinj nga ana e stafit. Guri që bëri një ndeshje shumë të mirë ndaj Tiranës, u pat ofruar edhe kohë më parë në skuadër nga trajneri Vata dhe pastaj u kthye sërish tek ekipi i të rinjve. Çfarë u fitua atëherë nga ky lojtar? Po ashtu, vijnë Dema e Markolaj nga të rinjtë kur askush nuk i njihte, luajnë titullarë dhe pas një periudhë të shkurtër jo vetëm që nuk luajnë më por kthehen sërish tek të rinjtë. Karakaçi e Bardulla, në disa ndeshje janë pjesë e rëndësishme e skuadrës ndërkohë që ndaj Tiranës nuk ishin as në 18-she. Stafi drejtues mund të justifikohet me formën jo të duhur sportive të tyre dhe pamundësinë për të zgjidhur situatën e Vllaznisë por kur do t’i fitojmë këta lojtarë? Nëse themi se janë të talentuar dhe me perspektivë, kur do t’i bëjmë gati për ekipin e parë, duke i kthyer tek të rinjtë apo duke i lënë jashtë 18-shes. Në këtë mënyrë, mendoj se janë disa gjëra që nuk shkojnë ashtu siç duhet. Nëse vërtetë nuk ka objektiva Vllaznia, do ishte mirë që këta të rinj të promovoheshin për sezonin e ardhshëm.