Sot pasdite në pallatin e sportit “Asllan Rusi” të kryeqytetit është zhvilluar ndeshja e parë e turit gjysmëfinal të kampionatit kombëtar të volejbollit për meshkuj në mes ekipeve të Studentit dhe Vllaznisë. Ka qenë një ndeshje shumë e bukur, e shoqëruar me rivalitet në mes dy ekipeve por në fund ka triumfuar Studenti që ka fituar 3-1. Skuadra e Ylli Tomorit ka fituar setin e parë në shifrat 25-15 ndërsa në të dytin është Vllaznia që barazon shifrat duke fituar 25-22. Pritej të kishte më shumë rivalitet në setin e tretë por nuk ndodh kështu sepse kryeqytetasit fitojnë 25-16 dhe pastaj edhe setin e katërt 25-13. Në këtë mënyrë është mbyllur ndeshja e parë gjysmëfinale në mes këtyre dy skuadrave ndërsa të premten në orën 18.00 në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës do luhet ndeshja e dytë mes këtyre dy ekipeve. Nëse fiton Vllaznia, atëherë do nevojitet edhe një ndeshje e tretë e cila do zhvillohet javën tjetër në Tiranë. Por nëse Studenti fiton edhe të premten në Shkodër atëherë gjithçka mbyllet këtu. Trajneri i Vllaznisë Artan Kalaja është shprehur se pavarësisht shumë vështirësive që ka ekipi i tij, ai do të bëjë të pamundurën për të qenë në turin tjetër.

www.shkodrasport.com