Vllaznia në volejboll për meshkuj ka qenë vetëm 2 pikë larg një fitoreje të madhe ndaj skuadrës më të mirë aktualisht të kampionatit- Studentit. Disa gabime të vogla, i kanë kushtuar shumë volejbollistëve shkodranë që janë detyruar të pranojnë humbjen në shifrat 2-3.
Takimi i luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” ka dhuruar shumë emocione dhe spektakël. Seti i parë ka qenë një “dramë” e vërtetë dhe në fund ka qenë Vllaznia e cila ka triumfuar me shifrat 31-29. Studenti duke u gjendur disi i befasuar nga ky start i vendasve reagon dhe i fiton dy setet e tjera me shifrat 25-18 dhe 25-19 duke e kthyer ndeshjen në favorin e saj.
Trajneri i Vllaznisë Artan Kalaja dhe volejbollistët e tij nuk duan të heqin dorë nga përpjekjet për të shkaktuar një befasi dhe për t’i shkaktuar humbjen e parë ekipit kryesues të kampionatit. Dhe reagimi vjen teksa fitojnë setin e katërt 25-18 duke e çuar ndeshjen në set final.
Ai në fakt nisi më mirë sërish për shkodranët që kryesojnë deri në 13-11 duke krijuar përshtypjen se do ta fitonin këtë ndeshje, por nuk do të ndodhte kështu dhe në fund është Studenti që fiton 15-13 dhe krejt ndeshjen me rezultatin 3-2.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


