E kishim thënë se ndeshja me Tiranën do ishte “barometri” I Vllaznisë dhe këtë e ka pranuar dje edhe vetë trajneri I kësaj të fundit Rudi Vata. Ai ndër të tjera ka thënë se çdo skuadër kur kërkon të masë forcat e veta, e sheh atë në përballjet me bardheblutë. Por nga ana tjetër, ai nuk e pranon kurrsesi që Vllaznia mund të rrezikojë play out-in edhe nëse humbet sot në Tiranë. Vata ka sqaruar edhe punën e stërvitjes në rërë dy ditë para ndeshjes së kupës me Flamurtarin, ka folur për dorëheqjen që nuk do ta japë kurrsesi apo dhe për gjobat e paralajmëruara nga drejtuesit e klubit. Për të gjitha këto tema, Rudi Vata ka folur dje në një intervistë ekskluzive për gazetën online www.shkodrasport.com:

-Vata, a u harrua ndeshja e humbur dhe eliminimi për kupë me Flamurtarin?
-Ndeshje të tilla është e vështirë të harrohen sepse kanë patur Brenda fate të rëndësishme për ekipin tonë megjithatë tashmë duhet të mendojmë për të tjera gjëra. Futbollistët pas një dite pushimi, kanë zhvilluar tre stërvitje dhe po bëhen gati për një ndeshje shumë të rëndësishme siç kjo e rradhës me Tiranën, skuadrën kryesuese të kampionatit që është një sfidë shumë e rëndësishme për skuadrën tonë.
-Pas ndeshjes me Flamurtarin, jeni shprehur se skuadra tregoi lodhje. I ka ikur ajo tashmë futbollistëve?
-Pas asaj ndeshje kam thënë që tek Vllaznia por edhe tek Flamurtari u vërejtën shenja lodhjeje për vetë ngarkesën e madhe të ndeshjeve që kanë zhvilluar kohët e fundit. Lodhje e tillë edhe mund të jetë normale prandaj dhe është detyrë e trajnerëve dhe stafeve teknike të rikthejnë skuadrën në formën e duhur. Me këtë rast desha të sqaroj opinionin publik edhe në lidhje me një shkrim që është botuar në një gazetë sportive për një stërvitje që skuadra ka bërë dy ditë para ndeshjes me Flamurtarin në plazhin e Velipojës.
-Megjithatë, këto fjalë mund të kenë dalë nga vetë lojtarët apo jo?
-Edhe mund të ketë dalë nga ndonjëri prej tyre që mund të ketë ndonjë pakënaqësi por unë I kam pyetur të gjithë futbollistët në seancën e së shtunës se çfarë problemesh ju paska shkaktuar ajo stërvitje dhe të gjithë e kanë mohuar. Mund t’I pyesni edhe vetë (shënim: 2-3 futbollistë që janë aty afër, e pranojnë që ka qenë një stërvitje shumë e lehtë pa asnjë ngarkesë). Unë nuk jam një njeri amator që nuk e di se çfarë stërvitjet bëj. Nëse dikush ka dëshirë të ulë punën time, këtë mund ta bëj në mënyra të ndryshme por jo të sajojë gjëra të tilla.
-Ndërkohë në opinion ka qarkulluar edhe ideja e një dorëheqje të mundshme nga ana juaj. E keni menduar ndonjëherë atë?
-Jo, asnjëherë. Nuk jam nga ata tipa unë që tërhiqem në gjysëm të rrugës. Kam një kontratë deri më 31 maj dhe do ta zbatoj deri në fund atë. Nuk kam arsye pse të tërhiqem. Askush nuk më ka përmendur objektiva. Aq më tepër, me largimin e Sukajt dhe Vajushit, gjërat u bënë më të vështira për skuadrën. E përsëris, unë vetë nuk largohem. Nëse drejtuesit e klubit duan të më shkarkojnë, kjo është çështje e tyre.
-Por ndërkohë skuadra nuk e ka shumë të sigurtë qëndrimin në kategori sepse po flitet për një rrezikim për në play-out nëse vazhdon kjo ecuri. Ju mendoni kështu?
-Vllaznia në play-out? Këto nuk janë gjëra që duhet t’I çoni ndër mend. Pastaj për çfarë jemi ne në skuadër. Mjafton të ju kujtojmë se presim në fushën tonë ekipet e Apolonisë, Tomorit dhe Shkumbinit. Luajmë në Tiranë me Dinamon dhe mjafton fitoret me këto skuadra që Vllaznia të jetë në mesin e tabelës së renditjes. Pa harruar këtu faktin që skuadra do luftojë për pikë në çdo ndeshje dhe në çdo fushë, duke nisur nga takimi I rradhës me Tiranën. Prandaj ju lutem, mos e ekzagjeroni situatën. Vllaznia nuk rrezikon kurrsesi në shkojë në play-out. Se po të ishte kështu, për çfarë do rrinim ne atëherë.
Gjergj KOLA