Dy ekipet e të rinjve të Vllaznisë në basketboll, si ai i djemve ashtu edhe ai i vajzave, kanë humbur në ndeshjet e kësaj jave, ndonëse të dy ata kanë luajtur në Shkodër. Më e papritur mund të quhet humbja e ekipit të djemve që konsiderohen si një ndër pretendentët për titullin kampion. Ata janë mundur nga Virtus Tirana, një nga kundërshtarët e tyre kryesorë me rezultatin 47-63. Vetëm perioda e parë e kësaj ndeshje ka qenë e barabartë dhe në lojë, 16-16. E dyta do shënonte edhe disfatën e mundshme të shkodranëve sepse e humbasin atë 6-19, për të vazhduar me të tretën 6-8. Paksa e çuditshme në fakt ajo çfarë ndodhi me Vllazninë sepse të shënosh për 20 minuta lojë vetëm 12 pikë është paksa absurde. Në periodën e katërt, pati një diferencë të vogël, 19-20 megjithatë Virtus Tirana do ta mbyllte ndeshjen me 16 pikë avantazh duke fituar në fushën e një kundërshtari për titull. Nga ana tjetër, me humbje e ka mbyllur takimin e sotëm edhe ekipi i të rejave të Vllaznisë që luajti në Shkodër ndaj Vlora Basket. Rezultati përfundimtar i ndeshjes ka qenë 45-62 për vajzat nga Vlora. Katër periodat kanë dhënë këto rezultate: 8-22, 8-15, 9-17 dhe 20-8.Në këtë mënyrë, kjo javë është mbyllur në mënyrën më të keqe të mundshme për dy ekipet e Vllaznisë në basketboll.

www.shkodrasport.com