Ka qenë një ndeshje me shumë emocione ajo e zhvilluar paraditen e sotme në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”  në mes ekipeve të Vllaznisë dhe Farka Volej. Kjo përballje është pritur me shumë interes sepse ndodheshin në parket përballë njëra-tjetrës dy skuadrat kryesuese të kampionatit. Ka patur shumë rivalitet  madje seti i parë është fituar nga tiranasit 25-21 ndërsa më pas vjen kthesa nga Vllaznia që fiton tre sete rradhazi, 25-20, 25-22 dhe 25-23. Në fund të takimit emocione tek tifozët e shumtë të pranishëm dhe më së shumti këto emocione janë vërejtur edhe tek trajneri i këtij ekipi Mirjan Rrahishta pas ndeshjes teksa për gazetën online www.shkodrasport.com është shprehur: “Jemi ndeshur edhe dy herë të tjera këtë sezon me ekipin e Farkës dhe në të dy rastet kemi qenë ne në udhëheqje me rezultatin 2-0 por i kemi humbur takimet. Sot fituam dhe sigurisht që u krijua një atmosferë shumë e këndshme. Një fitore që na nxjerr në vend të parë për momentin megjithëse deri në fund ka edhe shumë takime për t’u luajtur sepse është play off-i”. Me këtë fitore, Vllaznia për të rinj është ngjitur në vendin e parë të renditjes duke qenë sërish një nga skuadrat pretendente kryesore për titullin kampion edhe këtë sezon. Këtë gjë e ka pranuar edhe trajneri Rrahishta kur deklaron: “Objektivi natyrisht që është titulli kampion dhe shpresojmë të vazhdojmë në këtë rrugë”.

www.shkodrasport.com