Futbollisti shkodran Armando Vajushi ka luajtur sërish titullar në ndeshjen e luajtur pasditen e sotme ndaj Varnas. Ai ka qëndruar 45 minuta në fushë ndërkohë që me fillimin e pjesës së dytë është zëvendësuar nga ana e trajnerit Stoçkov. Skuadra e Vajushit e ka fituar ndeshjen e sotme me rezultatin 1-0 ndonëse ka luajtur në transfertë. Goli i Janes në minutën e 55-të i ka dhënë fitoren kësaj skuadre.Duhet thënë se Liteksi ka ndryshuar tërësisht pas janarit teksa ka arritur 6 fitore dhe 1 barazim ndërkohë që nuk e njeh shijen e humbjes. Me fitoren e sotme, kjo skuadër është ngjitur në vendin e pestë të renditjes vetëm me 4 pikë larg vendit të dytë dhe të tretë. Madje kjo diferencë mund të ngushtohet javën e ardhshme teksa Liteks do presë në Lovech ekipin e Levskit të Sofjes që është i renditur i dyti. Për Vajushin sigurisht që ka rëndësi të luajë rregullisht dhe të japë më të mirën e tij.
Duke folur në lidhje me takimin e sotëm, Vajushi ka thënë kështu për gazetën online www.shkodrasport.com: “Ka qenë një ndeshje e vështirë ndaj ekipit të Varnës por sigurisht që nuk kemi dalë në lojën tonë. Mund të them se kemi qenë me fat që shënuan dhe fituam sepse edhe fusha e stadiumit ku u luajt ndeshja ishte shumë e keqe. Më çoi mallin e fushës së Burrelit. Unë personalisht nuk u përshtata aspak me terrenin dhe prandaj trajneri vendosi të aktivizonte një futbollist tjetër në pjesën e dytë. Megjithatë e rëndësishme është që po luaj rregullisht”. Armando Vajushi tek Liteksi është duke luajtur në rolin e mesfushorit, si në krahun e majtë ashtu edhe në të djathin, sipas nevojave të skuadrës.
www.shkodrasport.com