Futbollisti shkodran Admir Mehaj ka shënuar sërish për skuadrën e Lirisë së Prizrenit për të cilën luan. Ka ndodhur kështu në takimin e sotëm, atë që skuadra prizrenase ka luajtur në fushën e vet ndaj ekipit të Prishtinës që udhëheq kampionatin. Mehaj ka shënuar në minutën e 47-të të ndeshjes me një gjuajtje të fortë me të djathtën e tij nga 25 metra. Ky gol ka qenë i vetmi i ndeshjes, rezultati përfundimtar i së cilës ka qenë 1-0 për Lirinë. Ky është goli i dytë rradhazi për Mehajn sepse siç ju kemi bërë të njohur, ai pat shënuar edhe javën e kaluar, në transfertën e mbyllur barazim 1-1 me KEK. Ndeshja e sotme ndaj Prishtinës ka qenë interesante dhe është ndjekur nga 2 mijë shikues. Figurë shumë të mirë në këtë ndeshje ka bërë edhe futbollisti tjetër shkodran Alsid Tafili. Siç bën të ditur faqja zyrtare e klubit prizrenas, Tafili në dy raste në pjesën e dytë ka qenë shumë pranë golit. Në rastin e parë, ka gjuajtur fort dhe topi ka kaluar pranë shtyllës ndërsa në rastin e dytë, mesfushori 24 vjeçar ka kaluar edhe portierin e Prishtinës, ka gjuajtur në drejtim të portës dhe mbi vijën fatale topi është larguar nga një mbrojtës. Pavarësisht kësaj fakti që ka shënuar shkodrani tjetër Mehaj, tregon se kjo kjo dyshe është vendimtare në fatet e Lirisë. Me fitoren e sotme, kjo skuadër është ngjitur në kuotën e 24 pikëve duke u pozicionuar në mesin e tabelës së klasifikimit.

www.shkodrasport.com