Është një nga ata që i ka provuar emocionet e klasikes Vllaznia-Tirana në fushën e lojës, e tashmë po i përjeton në stolin bardheblu të kryeqytetasve. Fjala është për Erbim Fagu. Ish-mbrojtësi i cili tani drejton ekipin u-21 të Tiranes, por është edhe zëvendës trajner tek ekipi i parë. Për “Shkodra Sport|, ai flet në mënyrë ekskluzive për derbin e Shqipërisë, ku nuk harron të theksojë bukurinë dhe emocionet e kësaj sfide. Si edhe rivalitetin e zjarrtë mes dy kampeve.
– Vini pas një fitoreje në derbi, si është gjendja tek ekipi i Tiranes?
Fitorja në derbi gjithmonë përjetohet ndryshe nga ndeshjet e tjera. Përveç 3 pikëve që na mbajnë në vendin e parë të renditjes, mbajmë larg edhe një rival si Partizani. Gjendja e ekipit është optimale si nga ana fizike ashtu edhe psikologjike. Pasi vjen një ndeshje akoma më e rëndësishme se kundër Partizanit dhe e dimë mirë që euforia e krijuar nga derbi mund të na dëmtojë.
– Fagu, tashmë drejton ekipin u-21 të Tiranes, por është edhe zëvendës tek ekipi i parë. Ku ndryshon të qenurit në stol nga ajo në fushë?
Ndryshimi i roleve nga fusha në stol është i madh. Të jesh futbollist është shumë herë më e lehtë nga roli i trajnerit, pasi mjafton të bësh çfarë thotë trajneri dhe aty mbaron. Ndërsa roli i trajnerit kërkon shumë punë dhe kohë për të gjetur mënyra e duhura për të stërvitur dhe drejtuar ekipin.
– Ndeshja e rradhës të shtunën kundër Vllaznisë në Shkodër. Si po përjetohet tek bardheblutë kjo prag sfide?
Ndeshja kundër Vllaznisë mund të themi se për ne është ndeshja e rradhës. Jemi në vendin e parë dhe shkojmë në Shkodër për të marrë maksimumin nga ky takim. Luajmë kundër një rivalo direkt që ka marrë humbje ndeshjen e fundit. Kjo na bën të jemi të motivuar në maksimum, njësoj si në derbi pasi nuk do jetë aspak e lehtë.
– Si ish-futbollist kampion me Tiranen, si është të luash në Shkodër?
Të luash në Shkodër është gjithmonë kënaqësi dhe ndeshjet kundër Tiranes përjetohen ndryshe. Jo më kot kjo ndeshje cilësohet si Klasikja e futbollit shqiptar.
– Objektiv vetëm fitorja kundër Vllaznisë?
Skuadra e Tiranes futet gjithmonë në fushë për të fituar pavarësisht kundërshtarit që është përballë. E rëndësishme është që skuadra të shprehet në fushën e lojës ashtu si në ndeshjet e fundit dhe rezultati do të vijë.
– Kush e vendos ndeshjen?
Nuk e di nëse mund të veçoj një lojtar që mund të jetë vendimtar. Për ne vlejnë 3 pikët dhe për të arritur këtë duhet puna e gjithë grupit.
– Një mesazh në fund për dy tifozeritë më të mëdha në vend?
Një mesazh shumë i sinqertë do ishte që tifozët të ishin sa më të shumtë në stadium dhe të shndërrohet në një festë. Shpresojmë që në stadium të jenë të pranishëm edhe tifozët e Tiranes sepse ata janë lojtari ynë i 12-të.
Endri ÇINARI