Ndeshja mes Partizanit dhe Vllaznisë nuk është mbyllur pa polemika. Gjyqtari Florian Lata është kritikuar nga të dy skuadrat për vendimet e tij. Nga një anë, shkodranët pretendojnë se ndeshja është ndikuar për një karton të kuq që nuk u dha ndaj Bitrit, ndërsa nga ana tjetër, kryeqytetasit pretendojnë se ai nuk dha një penallti në favor ët Skukës pas ndërhyrjes së Bulatoviç.

Sipas Ledio Panos, të dy episodet janë të lidhur me njëri-tjetrin pasi mendon se u vendos që të kompensohej gabimi te mosdhënia e të kuqit, me mosdhënien e penalltisë.

“Kjo e Skukës është penallti sade. Kush ka luajtur futboll e di që mjafton një prekje për të të ndryshuar drejtimin. Kur ke kontakt në këmbë, është e dukshme që është penallti. Unë mendoj se derisa nuk dhanë kartonin e dytë të Bitrit, e panë të arsyeshme që të mos e japin edhe këtë për kompensim”, deklaroi për “SuperSport” ish-futbollisti i Partizanit.

“Te i kuqi i Vllaznisë, ishte gabim trashanik i Hakajt. Nuk është simulim i Markut, ajo goditje të thyen dhëmbët”, tha Pano.