Kampionet e Shqipërisë në futboll për femra nuk ndalen në rrugën e tyre drejt titullit të katërt kampion rradhazi. Vajzat e Vllaznisë kanë mundur sot një tjetër rival, Tiranën AS me rezultatin 5-0. Ndeshja e vlefshme për javën e gjashtë të kampionatit është luajtur në fushën “Reshit Rusi” dhe ndonëse miket nga kryeqyteti janë mundur të bëjnë maksimumin e tyre, e kanë patur të vështirë ndaj vendaseve. Megi Doçi ka shënuar edhe dy gola të tjerë në këtë takim, ndërkohë që po kaq gola ka shënuar edhe Suada Jashari ndërsa golin tjetër e ka shënuar Uendi Muja.

Në këtë mënyrë Vllaznia arrin fitoren e gjashtë në po kaq ndeshje të luajtura dhe udhëheq e vetme renditjen me 18 pikë duke qenë e shkëputur nga ndjekëset e saj. Interesant është fakti se ky ekip ka arritur të shënoj deri tani 58 gola ndërkohë që nuk ka pësuar asnjë!!! Mbase ekipet e tjera të Superligës nuk do të mund t’i gëzohen dot arritjes së fitores ndaj Vllaznisë. Fitore për ta do të konsiderohet nëse arrijnë t’i shënojnë gol. Këtë gjë do ta provojë ndeshjen e ardhshme Apolonia, në takimin që do të luhet në Fier.

© shkodrasport.com