Asnjë ndryshim në formacionin e Vllaznisë për ndeshjen e sotme ndaj Flamurtarit. Do të jetë e njëjta 11-she që luajti në takimin e kaluar ndaj Partizanit me përjashtim të rikthimit të mesfushorit Bardulla që ishte i skualifikuar. Ai do të zërë vendin e kroatit Weitzer që do ta nisë nga stoli ndeshjen e sotme. Të tjerët do të jenë po ato. Duke filluar me portierin Agoviç dhe për të vazhduar me katërshen e mbrojtjes të përbërë nga Gocaj që do të luajë në të djathtë, Cicmil dhe Bicaj në qendër ndërsa Marku është në të majtë. Qendra e mesfushës do të jetë e përbërë nga treshja Krymi- Bardulla- Tafili, me dy lojtarët e rinj në krahë, Çinarin në të djathtë dhe Kalajën në të majtë ndërkohë që kapiteni Shtubina do ta nisë sërish ndeshjen si sulmues i vetëm. Trajneri i Vllaznisë Cungu ka treguar edhe më parë se nuk ndryshon formacion nga ai që luan një javë më parë dhe e bind. Për këtë arsye, përderisa pas ndeshjes me të kuqtë, i ka falenderuar të gjithë lojtarët për atë çfarë dhanë në fushë, sigurisht që ata do të ishin edhe sot në lojë. Takimi i sotëm ndaj vlonjatëve konsiderohet shumë i rëndësishëm. Edhe dy drejtuesit e lartë të klubit, administratori Gjyrezi dhe drejtori sportiv Zeka kanë udhëtuar që mbrëmë drejt Vlorës bashkë me skuadrën për t’i qëndruar pranë futbollistëve dhe stafit teknik. Marrja e pikëve sot konsiderohet një detyrë dhe megjithëse objektiv është fitorja, natyrisht që kuqeblutë mund të jenë të kënaqur edhe me barazimin në këtë përballje, barazim ky që do të ishte i shtati në 12 ndeshje për këtë skuadër.

www.shkodrasport.com